Një tjetër talent i futbollit ka pranuar ta përfaqësojë Kosovën. Bëhet fjalë për mesfushorin në radhët e gjigantit gjerman, Bayern Munich, Benjamin Dibrani, i cili aktivizohet me ekipin U17 të klubit bavarez.
Ky i fundit gjatë ditës së sotme ka qëndruar në FFK, ku është pritur nga presidenti Agim Ademi.
“Me këtë rast, ai ka konfirmuar se do të jetë pjesë e Dardanëve, duke filluar nga ekipi kombëtar U19, teksa ka thënë se ëndrra e tij është që në të ardhmen ta japë kontributin e tij në Kombëtaren A të Kosovës”.
“Presidenti Ademi i ka dëshiruar mirëseardhje talentit të Bayernit, duke e uruar për një karrierë sa më të suksesshme. Ai e ka vlerësuar rolin e madh të Diasporës shqiptare edhe në aspektin e futbollit, ngase përfaqësimi i Kosovës nga talentet e tillë si Dibrani e vërtetojnë atdhedashurinë e përhershme të mërgimtarëve tanë dhe njëherësh e rrisin cilësinë në ekipet zinxhir të kombëtares sonë”, thuhet në njoftimin FFK-së.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka theksuar tutje se Kosova gjithmonë do t’i ketë dyert e hapura për të gjithë talentet e futbollit kudo që ata luajnë dhe që kanë dëshirë e vullnet për ta përfaqësuar vendin e origjinës së tyre. /Telegrafi/