Talebanët kanë urdhëruar mbylljen e të gjitha salloneve të bukurisë në sulmin e fundit ndaj lirive të grave në Afganistan.
Ministria për Parandalimin e Veseve dhe Përhapjes së Virtytit sot e bëri këtë njoftim, por një vendim i tillë kohë ka kohë që po qarkullon në rrjetet sociale.
“Afati i fundit për mbylljen e salloneve të bukurisë për gratë është një muaj”, tha zëdhënësi, Mohammad Sadiq Akif.
Pas kësaj kohe, çdo sallon duhet të paraqesë një raport që konfirmon se e ka mbyllur biznesin, raporton metro.co.uk.
Këto vende janë zakonisht vetëm për gra dhe i kanë dritaret e tyre të mbuluara në mënyrë që klientët të mos shihen nga jashtë.
Pavarësisht premtimit të talebanëve për të zbatuar një rregull më të moderuar sesa kur ata ishin më parë në pushtet në vitet 1990, grupi në thelb po i ndalon gratë nga jeta publike.
Gratë nuk lejohen në parqe, palestra apo banja publike dhe qasja e tyre në arsim në të gjitha universitetet do të ndalohet deri në fund të vitit.
Masat e talebanëve kanë shkaktuar reagim të ashpër tek bashkësia ndërkombëtare, duke rritur izolimin e vendit në një kohë kur ekonomia është shembur.
Qeveritë perëndimore dhe organizatat kryesore kanë thënë se kufizimet ndaj grave në thelb po i pengojnë talebanët të marrin ndonjë njohje ndërkombëtare.
Administrata thotë se respekton të drejtat e grave në përputhje me interpretimin e ligjit islamik dhe zakoneve afgane. /Telegrafi/