Që kur talebanët morën kontrollin e Afganistani në fund të gushtit, persekutimi i komunitetit LGBT+ të vendit është rritur, duke detyruar shumë njerëz të jetojnë të fshehur derisa kanë frikë për jetën e tyre.
“Tani e dimë me siguri se talebanët kanë një ‘listë të vrasjeve’, tha kreu i Rainbow Railroad, një organizatë jo-qeveritare kanadeze që ndihmon afganët nën kërcënim për të ikur në mërgim.
Situata për komunitetin LGBT+ në Afganistan nuk ka qenë kurrë e lehtë, shkruan France24, përcjell Telegrafi.
Lidhjet e të njëjtit seks kanë qenë gjithmonë tabu në vendin me shumicë myslimane, ku – edhe nën qeverinë e dikurshme të mbështetur nga perëndimi – lidhjet jo-heteroseksuale ishin të paligjshme dhe mund të çonin deri në dy vjet burg.
Por që kur talebanët erdhën në pushtet pas tërheqjes së ushtrisë amerikane më 30 gusht, situata është përkeqësuar me shpejtësi. Megjithëse grupi militant nuk ka thënë ende zyrtarisht se si planifikon të trajtojë çështjet lidhur me aktet e homoseksualizmit, raportet po sugjerojnë gjithnjë e më shumë se talebanët po zbatojnë një interpretim të rreptë të ligjit të Sheriatit, sipas të cilit marrëdhëniet e të njëjtit seks mund të dënohen me vdekje. /Telegrafi/