Tajvani këtë vit përfaqësohet në DokuFest me filmin After the Snowmelt me regji të Yi-Shan Lo. Filmi kap një udhëtim shkatërrues dhe eksploron humbjen dhe rininë. Shfaqja e tij në DokuFest të mërkurën në mbrëmje, sipas Shih-chung Liu nga Zyra Përfaqësuese e Tajvanit në Hungari është një mundësi për të ndërtuar lidhjet kulturore ndërmjet Kosovës dhe Tajvanit. Telegrafi zhvilloi një intervistë të shkurtër me ambasadorin Shih-chung Liu përpara shfaqjes së filmit në DokuKino.
Telegrafi: Zoti Liu, këtë vit Tajvani përfaqësohet në DokuFest me filmin After the Snowmelt me regji të Yi-Shan Lo. Cilat janë ndjenjat tuaja për këtë shkëmbim kulturor mes Kosovës dhe Tajvanit?
Shih-chung Liu: Tajvani dhe Kosova, ndajnë shumë ngjashmëri historike. Të dyja po punojmë shumë për të konsoliduar sovranitetin dhe pavarësinë e kombeve tona. Të dyja po përballemi me një armik të madh fqinj dhe po përpiqemi të zgjerojmë pjesëmarrjen tonë ndërkombëtare dhe të fitojmë më shumë njohje ndërkombëtare. Por unë besoj se mënyra më efektive është përmes të ashtuquajturës fuqi e butë. Unë besoj fuqishëm se Tajvani dhe Kosova kanë fuqi të butë të frytshme dhe të pasur. Filmat dhe mjetet e tjera kulturore janë njëra prej tyre. Kësaj radhe jemi të nderuar që kemi një nga dokumentarët e Tajvanit të përzgjedhur nga DokuFest. Jemi këtu në Prizren dhe kam dashur t’i bashkohem shfaqjes së këtij dokumentari. Jam shumë i emocionuar për këtë film!
Telegrafi: A mund të na thoni për çfarë bëhet fjalë në film?
Shih-chung Liu: Kjo nuk është hera e parë që një film nga Tajvani merr pjesë në DokuFest. Në vitin 2018 pati një tjetër film nga Tajvani që prezantonte Tajvanin si komb. Disa nga audienca kosovare e kuptojnë pak Tajvanin. Por këtë herë ky film After the Snowmelt, flet për jetën dhe vdekjen, për dashurinë, traumën, një histori e trisht për një aksident tragjik që ndodhi në vitin 2017 kur një çift udhëtoi në Nepal dhe pësoi një aksident në male. Një nga femrat fatkeqësisht ka ndërruar jetë. E gjithë ideja e këtij dokumentari është që njerëzit në Tajvan dhe Kosovë të kenë një kuptim të qartë se si ne si qenie njerëzore duhet të përballemi me nënën natyrë dhe si ta kuptojmë këtë. Ndonjëherë ka një fund të lumtur, por ndonjëherë rezultati është mjaft fatkeq. Por edhe atëherë njerëzimi, qenia njerëzore duhet të punojë shumë për të fituar respektin nga nëna natyrë. Pra, përmes këtij filmi më është thënë gjithashtu se njerëzit nga Kosova mund të shohin peizazhin e bukur dhe malet. Tajvani është një vend i vogël ishullor, por ka male të larta dhe fusha të mëdha, dhe moti është gjysmë tropikal. Ne e quajmë atë parajsë të Azisë Lindore. Shpresojmë që kur miqtë tanë nga Kosova ta shikojnë këtë film, përveç që të njihen më shumë me idenë e këtij filmi, do t’i inkurajojë ata të vizitojnë Tajvanin, qoftë edhe për turizëm.
Telegrafi: Dhe a jeni optimist se përmes këtij lloj bashkëpunimi në të ardhmen mund të kemi marrëdhënie më të mira kulturore dhe ekonomike ndërmjet Tajvanit dhe Kosovës?
Shih-chung Liu: Tajvani është një demokraci e suksesshme. Ekonomia, teknologjia e Tajvanit, veçanërisht kur bëhet fjalë për industrinë e gjysmëpërçuesve është numër 1 në botë. Tajvani është shoqëri 100% e lirë; ne respektojmë të drejtat e njeriut. Me atë lloj sfondi, unë besoj se kultura e Tajvanit mund të tërheqë vëmendjen nga e gjithë bota duke përfshirë edhe Kosovën, pavarësisht se kemi dallime në besimet fetare dhe sistemin tonë, besoj se kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërpersonale në mes njerëzve kemi shumë hapësirë për tu afruar Tajvani dhe Kosova.
Dokumentari After the Snowmelt, do të shfaqet në DokuFest të mërkurën mbrëma dhe të premten gjatë ditës. /Telegrafi/