Telegrafi

Tajvani monitoron rritjen e aktiviteteve të ushtrisë kineze – e quan Kinën kërcënim për stabilitetin rajonal

Tajvani ka deklaruar se po vëzhgon nga afër ushtrinë kineze, për të cilën tha se përbën një kërcënim në rritje për rajonin, pasi disa aeroplanë ushtarakë kinezë kaluan pranë ishullit për t’iu bashkuar stërvitjeve me anijen kineze Shandong në Paqësor.

Siç raportohet, stërvitjet ushtarake kineze përkojnë me samitin e NATO-s në Uashington.

Në përditësimin e saj të përditshëm mbi aktivitetin ushtarak kinez gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se kishte zbuluar 66 aeroplanë ushtarakë rreth ishullit.

Prej tyre, 39 thuhet se kanë kaluar në jug dhe juglindje të Tajvanit.

Ndërkohë, ministria tha se së fundmi ka zbuluar 36 aeroplanë të tjerë që ishin drejtuar në Paqësor për të kryer stërvitje me anijen Shandong.

Por, presidenti Lai Ching-te tha se do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e ishullit, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Kërcënimi i komunistëve kinezë ndaj stabilitetit rajonal vazhdon të rritet dhe ndërhyrjet e tyre në zonën gri në ngushticën e Tajvanit dhe zonat përreth po rriten gjithashtu dita-ditës, duke u bërë një sfidë e përbashkët për demokracinë globale”, tha Lai Ching-te.

Lexo po ashtu Tajvani raporton rritje të aktiviteteve ushtarake kineze pranë territorit të tij

Ndryshe, Tajvani edhe më parë ka raportuar se Shandong vepron pranë ishullit, përfshirë dhjetorin e vitit 2023.

Tajvani, të cilin Kina e sheh si territorin e saj, është ankuar për aktivitetin e përsëritur ushtarak kinez gjatë katër viteve të fundit, ndërsa Pekini kërkon të bëjë presion mbi ishullin e qeverisur në mënyrë demokratike, i cili refuzon pretendimet e Kinës për sovranitet.

Përpara samitit, Ministria e Jashtme e Tajvanit tha se “mirëpret rritjen e vazhdueshme të vëmendjes së NATO-s ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin Indo-Paqësor në vitet e fundit, dhe forcimin e saj aktiv të shkëmbimeve dhe ndërveprimeve me vendet në rajonin Indo-Paqësor”.

Bëhet e ditur se aleatët e SHBA-së, Australia dhe Japonia, kanë rritur gjithashtu aktivitetet e tyre ushtarake. /Telegrafi/