Site icon Telegrafi

Tajlandezja ndërtoi një qeli në shtëpi për të mbrojtur veten nga djali

Një grua e moshuar tajlandeze, e cila po përpiqet me çdo kusht ta mbajë djalin larg drogës dhe kumarit, bëri një qeli brenda shtëpisë së saj.

Pas më shumë se 20 vitesh duke jetuar në frikë të vazhdueshme shkaku i varësisë së djalit nga droga, një grua 64-vjeçare nga provinca Buriram e Tajlandës ndërmori masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur veten dhe fqinjët.

Ajo kohët e fundit angazhoi një kompani për t’i ndërtuar një qeli në shtëpi, ku mund të mbyllte të birin 42-vjeçar sa herë që ai bëhej agresiv. Gruaja i tha policisë se kishte provuar gjithçka për ta ndihmuar djalin e saj gjatë këtyre viteve, përfshirë disa përpjekje rehabilitimi në më shumë se 10 qendra të ndryshme në vend, por asgjë nuk funksionoi, dhe ai bëhej gjithnjë e më i dhunshëm me kalimin e kohës.

Për më tepër, në një moment, ai u bë i varur edhe nga kumari, gjë që e përkeqësoi situatën, shkruan odditycentral.

“Për njëzet vjet kam jetuar me frikë të vazhdueshme. Kam jetuar vetëm me djalin tim që nga koha kur burri im ndërroi jetë. Një nga arsyet e vdekjes së tij ishte depresioni dhe stresi i shkaktuar nga varësia e djalit tim nga droga. I vendosa shufrat e hekurit në shtëpinë time sepse isha e shqetësuar për sigurinë time dhe të fqinjëve”, tha ajo.

Më 23 tetor, gruaja u detyrua të thërriste policinë pasi nuk mund ta kontrollonte dot më të birin. Ai u shtrua në një spital, por ajo e dinte se do të kthehej, ndaj vendosi të krijonte qelinë. Gruaja e moshuar, e njohur vetëm si zonja A. nga mediat, siguroi që djali i saj të kishte qasje në kushte bazike dhe la një hapësirë midis shufrave për t’i dhënë ushqim dhe ujë.

“Dhomën me shufra e pajisa me gjëra thelbësore si krevat, banjo dhe WiFi. Kam projektuar një vrimë të vogël për të dorëzuar ushqim dhe pije për djalin tim dhe kam instaluar një sistem kamerash CCTV për të monitoruar sjelljen e tij 24 orë në ditë. Besoj se kjo masë do të më mbrojë mua dhe fqinjët nga sjellja e tij agresive”, tha tajlandezja.

Nuk është e qartë se si policia mësoi për qelinë e ndërtuar në shtëpi nga gruaja, por ata sigurisht nuk ishin të kënaqur kur e vizituan shtëpinë e saj javën e kaluar. Një zëdhënës tha për gazetarët se gruaja mund të shpallet fajtore për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe mbajtjen e paligjshme në izolim. /Telegrafi/

Exit mobile version