Site icon Telegrafi

Tahiri: Vendi ynë po qeveriset nga njerëz të padijshëm, do ta ndalojmë rritjen e çmimit të rrymës

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka mbajtur sot një konferencë për media, pas dështimit të propozimit të tyre që sot në seancën e Kuvendit të debatohet urgjent për ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike.

Tahiri ka thënë se grupi i PDK-së duke parë gjendjen që po rëndohet me furnizimin me energji, kanë kërkuar debat për të diskutuar për gjendjen energjetike dhe masat që duhet t’i marrë Qeveria.

“Sot grupi parlamentar i PDK duke parë gjendjen që po rëndohet çdo ditë e më shumë me furnizimin me energji elektrike dhe në anën tjetër duke parë papërgjegjësinë e madhe të kësaj qeverie, kërkuam që të ftojmë një debat urgjent që të diskutojmë rreth gjendjes tonë energjetike dhe masave që duhet ti ndërmarr qeveria dhe ZRRE në mënyrë që qytetarët të kalojnë sa më lehtë këtë dimër. Njëkohësisht kërkojmë që në asnjë rrethanë të mos hyhet me shtrenjtimin e energjisë, sepse me inflacionin në njërën anë dhe rritjen e çmimeve në anën tjetër dhe sot rritja e çmimit të energjisë vërtet për standardin e qytetarit të Kosovës sot është e papërballueshme”, tha Tahiri.

Ai shtoi se patën një sjellje të papërgjegjshme nga ana e mazhorancës që sipas tij po mundohet me mbyt debatin në këtë Kuvend.

“Ky vend po qeveriset nga njerëz të papërgjegjshëm, të pa dijshëm që e kanë sjell vendin tonë në një krizë të thellë energjetike. Ne do të hymë në mesin e 10 vendeve të BE-së që do ta paguajmë më së shtrenjti energjinë elektrike”, tha Tahiri.

Tahiri ka thënë se do të insistojnë që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet për ngritjen e çmimeve të energjisë.

“Paga në sektorin privat nuk e përballon një ngritje të tillë. Një seancë e tillë është e nevojshme dhe miratimi i një rezolute që do ti kërkojë ZRrE-së për mos ngritjen e çmimeve. Për ne është e rëndësishme parandalimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë tutje ai. /Telegrafi/

Exit mobile version