Poezi nga: Ilaz Hysaj
Na duhen shumë vite
Na vyejnë shumë mote
Me i rreh udhët e kësaj toke
Për me kuptue se si marohet një rrudhë
Në ftyrën e bardhë të Nanës Loke.
Duhet me pa shumë lindje
Me i ndje shumë vdekje
Dasma, kumte, kangë, djegie e ndjekje
Për me e ndje dhimbjen, gjamën, trishtimin
Faljen dhe dashninë e humbun të kësaj toke
Që lusin, flasin e thrrasin shqip
Me gjuhën e syve të Nanës Loke.