Përveç temave tjera që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve, kryetari i Komunës së Ferizajt, njëherësh kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë komunë, ka thënë se fuqia ekonomike e kësaj komune është trefishuar për katër vite.
Muharrem Svarqa në “Debat +” të RTV Dukagjinit ka thënë se në fillim të marrjes së pushtetit në vitin 2013, e kanë gjetur Ferizajn në një gjendje gati emergjente.
“Kemi gjetur edhe biznesmenë me shpirt shumë ndërmarrës të cilët kanë operuar me sukses, por që fuqia e tyre ekonomike ka qenë për shembull në përmbushje të buxhetit të Republikës së Kosovës me 110 milionë euro”.
“Ndërkaq tash kemi një gjendje krejtësisht tjetër, kemi 11877 biznese të cilat përmbushin buxhetin e Kosovës me 360 milionë euro, që tregon se është rritur mbi trefish fuqia ekonomike e Ferizajt”.
“Ka biznese që operojnë jo vetëm në shtete të rajonit, por edhe në Kinën e largët. Derisa bizneset tjera importojnë nga Kina, bizneset e Ferizajt eksportojnë në Kinë”, ka thënë Svarqa. /Telegrafi/