Telegrafi

Surpriza në Superligën e Maqedonisë, humb Struga dhe Shkupi, barazon Shkëndija

Ndeshjet e fundit të xhiros së 26-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut kanë sjell surpriza tek ekipet që luftojnë për kreun e tabelës.

Struga Trim Lum është mundur në kryeqytet nga Vardari me rezultat minimal 1:0. Kampionët në fuqi dhe liderët aktual u ndëshkuan me një gol të realizuar në minutën e 73-të nga Djuric, i cili në fund rezultoi të jetë vendimtar për tre pikë të Vardarit dhe disfatë për ekipin e Shpëtim Duros.

Të njejtin fat e kishte edhe Shkupi që në qytetin e Shtipit u mund nga Bregallnica me shifra 1:0. Golin e vetëm të këtij takimi e realizoi Gorgiev në minutën e 7-të dhe deri në fund nuk kishte ndryshime në rezultat.

Ndërkohë gabimet e Strugës dhe Shkupit, nuk arriti që ti shfrytëzojë Shkëndija e Tetovës, pasi kuqezinjtë e Jeton Beqirit nuk shkuan më shumë se një barazim 1:1 ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit në kryeqytet. Fillimisht tetovar avansuan me golin e Endrit Krasniqit në minutën e 23-të, por vendasit barazuan me Gilberton në të 36-tën. Shkëndija pjesën e dytë të ndeshjes e luajti me një futbollist më pak në fushë, pasi në të 45-tën Vane Krstevski u përjashtua nga loja me karton të kuq.

Nuk arriti fitore as skuadra tjetër shqiptare Voska Sport që në Ohër u ndal me barazim 1:1 përballë Rabotniçkit. Marusic realizoi për Voskën, teksa për “Romantikët” rrjetën e gjeti Stojanovski.

Në duelin tjetër që ishte në program pasditën e sotme, Tikveshi triumfoi ndaj Brerës në Kavadar me rezultat 3:1.

Ndeshjet e radhës dhe të xhiros së 27-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut janë me 14 prill./Telegrafi/