Intervistoi: Dashnim Hebibi
Ardiani, tashmë, është bërë krenaria jonë, por edhe një figurë e adhuruar e popullit gjerman. Ky talent ka një rrezatim marramendës, por gjithnjë e ruan modestinë dhe krenarinë. Madje, nuk tingëllon patetike, nëse e parafrazojmë një mendim të tij ‘jam krenar që jam shqiptar’.
19 vjeçari me prejardhje nga Kosova, Ardiani Bujupi, i cili jeton me familjen e tij në Heildelberg të Gjermanisë, në spektaklin më të shikuar në Gjermani, Austri dhe Zvicër, me titull "Deutschland sucht den Superstar – Gjermania kërkon super Yllin", me këngët "Feeling Good", "Loving You Is Killing Me" dhe "Waving Flag" arriti të plasohet në vendin e tretë që është një sukses i madh për një debutues.
Jo vetëm në këngët e kënduara, por edhe gjatë bisedave me moderatorin Ardiani ishte i sigurt dhe pothuaj gjithnjë i buzëqeshur, gjë që në përgjithësi la përshtypje shumë të mirë te të gjithë që e kanë shikuar në vendin e ngjarjes apo nëpërmjet ekraneve televizive.
Ardian Bujupi mbeti i treti superyll i Gjermanisë, mirëpo është më se e sigurt se fitoi shumë adhurues dhe në të ardhmen nuk do të mungojnë angazhimet e tij muzikore dhe rritja e famës së fituar.
Edhe pse shumë i zënë me punë, ai gjeti kohë t’i përgjigjet interesimit tonë për një intervistë në gjuhën shqipe për portalin tonë.
Ndonëse i ri e keni braktisur Kosovën, duket se atë e bartni në vete kudo që shkoni dhe mburreni me të?
Është e vërtetë se familja jonë ishte e shtrënguar të emigrojë në Gjermani qysh më 1992 për arsye tashmë të njohura. Mirëpo, ne familjarisht keni qenë, jemi dhe do të mbetemi përherë të lidhur shpirtërisht me Kosovën dhe ajo, sikur na përfytyrohet në çdo çast të jetës sonë.
Ju shpejt keni hyrë në shoqërinë elite artistike të mjedisit ku jetoni. Madje, keni shpërthyer si një meteor që ishte një befasi e këndshme dhe thuajse e papritur?
Është e vërtetë se kam depërtuar në mënyrë të furishme, por duket se talenti e ka bërë të veten. Më bëhet se ai talent ishte grumbulluar aq shumë saqë edhe shpërthimin e kishte të vrullshëm.
Me talentin tuaj, hapët shumë porta dhe shumë zemra. A e pritnit një surprizë të tillë?
Ç’është e vërteta nuk e prisja në këtë formë, sepse mjedisi ku jetoj përfill kriteret e ashpra. Jam i lumtur që isha i përzgjedhur i masës e cila din çka do dhe di të vlerësojë.
Ardian, kaluan disa ditë nga finalja e madhe e spektaklit DSDS, si po e ndieni veten, që tashmë jeni një yll i vërtetë i këngës?
Unë jam shumë i lumtur me suksesin tim që kam arritur, por është në natyrën time që kurrë të mos kënaqem me atë që arrij. Domethënë kërkoj gjithnjë.
Kënd do ta falënderoni për gjithë suksesin që e keni arritur?
Sigurisht, familjen time, e cila gjithmonë ka qenë prapa meje, shokët dhe të gjithë fansat që më përkrahën, pa i harruar edhe bashkatdhetarët dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, që kanë votuar përmes sms dhe telefonatave. Kjo për mua është sukses, pres që kjo përkrahje të vazhdojë dhe të zgjerohet.
Moderatori i këtij spektakli, tha se jo të gjithë ata që këndojnë mirë shkojnë në finale, ngase aludoi në atë, se vendosin shikuesit nga telefonatat dhe sms-at. A pajtoheni edhe Ju?
Normalisht se pajtohem, sepse e kam kuptuar, se në këtë spektakël, për të arritur deri tek i pari, duhet natyrisht të kesh talent, por edhe të kesh fansa, që të votojnë dhe që të thërrasin në tel, sepse ata vendosin të jesh në finale, apo i pari i spektaklit. Pra, DSDS, nuk është vetëm për këndim, por edhe si dukesh si person, mua më duket se i ngjason ‘Big Brother’.
Pse ju nuk shkuat në finale?
Nuk ka pasur sa duhet telefonata dhe sms. Nuk e di se çka ka ndodhur që nuk shkova në finale, por i falënderoj të gjithë që kanë votuar për mua dhe që ishin me mua, që kam arritur deri këtu. T’jua them pa modesti, e kam ëndërruar finalen por të shpresoj që këtu nuk përfundojnë finalet për mua.
Jeni i kënaqur edhe me vendin e tretë?
Unë thashë se kam pritur më shumë, por edhe vendi i tretë është një sukses, sepse dallimi ndërmjet kategorive është shumë i ngushtë.
A ndjeheni fitues?
Do të thosha, ndjehem më shumë fitues moral. Në anën tjetër, për momentin, nuk kam mundur të jap më shumë. Publiku ishte sovrani dhe ai më vendosi në vendi e tretë. E falënderoj, megjithatë.
Si keni filluar me muzikë, nga talenti, pasioni, apo dashuria?
Unë do të thosha, të gjithat ngapak. Muzika ka lindë bashkë me mua dhe vazhdoj ta bart si një kurorë të artë. Qysh si fëmijë kam patur kontakte me veglat muzikore të cilat në shtëpinë tonë ishin me bollëk. Babi im hetoi tek unë se kam vesh absolut për muzikë sapo dëgjoi zërin tim.
Ke provuar të këndosh shqip dhe a dëgjon muzikë shqipe.?
Po, kam kënduar, këndoj dhe do të këndoj. Kjo muzikë më pëlqen shumë dhe është tepër e vlerësuar nga unë.
A e keni në plan të realizoni, të këndoni ndonjë këngë në gjuhën shqipe?
Unë, për nga natyra jam njeri që nuk nxitoj, sepse arti nuk e duron nxitimin Aktualisht kam disa projekte në Gjermani, por së shpejti do ta realizoj edhe ëndrrën time që të incizojë diçka të bukur edhe në gjuhën shqipe.ca projekte tjera këtu në Gjermani dhe do t’i vie radha edhe këngës shqipe. Ëndërr e kam të realizoj dhe incizojë diçka të mirë.
Si do t’i falënderosh përkrahësit tuaj të spektaklit DSDS?
I falënderoj me zemër të sinqertë dhe me shpirt prej artisti.
/Telegrafi/