Telegrafi

Superliga e Maqedonisë rikthehet me derbin Shkupi – Vardari

Pas pauzës ndërkombëtare, këtë fundjavë rikthehet edhe Superliga e Maqedonisë së Veriut me ndeshjet e xhiros së 25-të në program.

Kjo xhiro do të hapet nesër me duelin Shkupi – Vardari që do të përballen për derbin e kryeqytetit.

Takimi ndërmjet dy rivalëve të vjetër do të zhvillohet në stadiumin e Çairit, me tifozët shqiptar që kanë paralajmëruar spektakël si gjithë herave tjera kur përballen me Vardarin.

Para kësaj sfide nga tabori i skuadrës nga Çairi ka folur mesfushori, Hamza Ramani.

“Ndeshja ndaj Vardarit është me rëndësi të madhe për ne, duke ditur faktin se kishim një periudhë të vështirë me disa barazime. Të shtunën kthehemi në fushën tonë dhe me shumë përkushtim e punë për të marrë rezultate më të mira. Ne duelin kundër Vardarit me përkrahjen nga ana e “Shvercerave”, fitorja nuk do të mungon, duke ditur se qëllimi ynë mbetet i njëjtë, i duam dy titujt në Çair. Sigurisht se asgjë nuk është e lehtë, mirëpo me përkushtim dhe me punë në grup, do të arrijmë objektivat e dëshiruara”, është shprehur Ramani.

Gjithashtu të shtunën do të zhvillohet edhe një takim tjetër ndërmjet Tikveshit dhe Sileksit.

Ndërkohë katër ndeshjet tjera luhen të dielën. Qyteti i Strugës do të pret dy skuadrat shqiptare, me kampionët në fuqi që do të përballen me Voska Sportin.

Shkëndija e Tetovës pranë tifozëve të saj do të takohet me Bregallnicën e Shtipit, teksa Gostivari takohet me Makedonija Gjorçe Petrovin.

Pjesë e programit të ditës së diel është edhe ndeshja Brera – Rabotniçki. Të gjitha këto sfida në kuadër të xhiros së 25-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut, zhvillohen në termin të njejtë, nga ora 15:00. /Telegrafi/