Agjencia paqeruajtëse e OKB-së në Libanin jugor ka njoftuar në një sulm me raketa në një nga bazat e saj janë plagosur katër ushtarë të saj.
Bëhet e ditur se ushtarët italianë u dërguan në spital me lëndime jo të rrezikshme për jetën, pasi baza UNIFIL në Shama u godit nga dy raketa 122 mm.
UNIFIl tha se raketat ka të ngjarë të jenë lëshuar nga Hezbollahu ose anëtarë të grupit të armatosur.
Ndërkohë, Hezbollahu nuk e ka komentuar deklaratën e agjencisë, por grupi tha se ka lëshuar një breshëri raketash mbi forcat izraelite në perëndim të Shamës.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se sulme të tilla janë “të papranueshme”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Siç raportohet, sulmi i fundit është i treti që godet bazën e UNIFIL në Shama brenda një jave.
Të martën, agjencia tha se baza u dëmtua nga sulmet me raketa të mundshme nga “aktorë joshtetërorë”.
Sulmi i fundit goditi një bunker dhe një zonë logjistike. Një nga strukturat e prekura mori flakë, por u shua shpejt.
Ndryshe, UNIFIL ka akuzuar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe në disa raste Hezbollahun dhe filialet e tij, për një numër në rritje të sulmeve ndaj forcave paqeruajtëse që kur Izraeli filloi një inkursion tokësor në Libanin jugor më 30 shtator duke synuar Hezbollahun.
Por, agjencia ka refuzuar të tërhiqet nga pozicionet dhe vazhdimisht u ka kërkuar të gjitha palëve të ndërpresin sulmet në bazat e saj, të cilat sipas saj janë një “shkelje flagrante” e ligjit ndërkombëtar. /Telegrafi/