Infarkti i trurit renditet në vendin e katërt të shkaqeve të vdekshmërisë. Paraqet njërën prej sëmundjeve që krijon barrë të rëndë personale, sociale dhe ekonomike. Në raste të caktuara, manifeston ca shenja paralajmëruese. Po t’u kushtohet atyre rëndësi, mund të parandalohet!
Ass. Dr. Blerim Myftiu, neurolog
“Sulmi kalimtar iskemik” paraqet gjendjen në të cilën ankesat që besohen të kenë ndërlidhje me qarkullimin e gjakut në tru apo palcën e kurrizit paraqiten në mënyrë të befasishme dhe të papritur, zgjasin më pak se 24 orë dhe nuk lënë pas vetes pasoja afatgjata hendikepuese te individi. Kjo gjendje nënkupton që për çfarëdo qoftë arsyeje, një pjesë e trurit apo e palcës së kurrizit mbetet pa furnizim adekuat të gjakut. Gjatë kësaj periudhe zhvillohen simptomat gjegjëse, mirëpo më vonë për shkak të rivendosjes së qarkullimit të gjakut në atë pjesë, simptomat zhduken dhe nuk shkaktohen pasoja të përhershme as në masën trunore, as në funksionimin e personit gjegjës.
Simptomat kryesore me të cilat individët paraqiten në spitale dhe që sugjerojnë për një sulm të mundshëm iskemik janë:
– problemet me të parët, sidomos errësimi i plotë apo i pjesshëm i pamjes në njërin sy;
– vështirësia në të folur, që mund të shfaqet në formën e pamundësisë së të shprehurit të qartë, pamundësinë për t’i shqiptuar fjalët apo për ta kuptuar të folurit e tjetërkujt;
– humbja e kujtesës, sidomos për ngjarjet e ndodhura rishtas, orëve të fundit, e shoqëruar me gjendjen e hutisë apo të çorientimit;
– mpirja apo humbja e fuqisë (paraliza) në njërën gjysmë të trupit
– marramendja, mundimi i lukthit, vjellja, humbja e stabilitetit gjatë ecjes, vështirësia në kryerjen e lëvizjeve të njëpasnjëshme me duar, si p.sh. të shkruarit apo veshja.
Në rastin kur një individ paraqitet me këto ankesa, ne nuk mund të dimë nëse simptomat do të jenë të natyrës kalimtare dhe të përkohshme. Prandaj, procedojmë menjëherë me realizimin e një incizimi radiologjik të trurit për të konstatuar nëse kemi territore të trurit që janë të kanosur nga iskemia (furnizimi i çrregulluar me gjak), apo nëse bëhet fjalë për ndonjë lezion të natyrës tjetër në sistemin nervor. Për këtë qëllim, varësisht nga kushtet logjistike dhe materiale, mund të shërbehemi me tomografinë e kompjuterizuar apo rezonancën magnetike të trurit.
Po qe se pacienti në momentin e paraqitjes te mjeku rrëfen se simptoma ka pasur më përpara, por tani nuk i ka më, atëherë gjykojmë se ato kanë qenë simptoma kalimtare dhe i përvishemi punës diagnostike për hulumtimin e shkakut të mundshëm. Megjithatë, realizimi edhe në këtë rast i një imazherie na ndihmon për të gjykuar nëse ajo periudhë kohore gjatë së cilës kemi pasur simptoma ka qenë e mjaftueshme për zhvillimin e dëmtimit në tru.
Hulumtimet që duhen bërë për eliminimin e rrezikut
Në cilindo variant të zhvillohet ngjarja, ne jemi të obliguar që ta studiojmë në detaje shkaqet që mund të kenë sjellë në këtë gjendje. Ngase, nëse kjo ka ndodhur një herë, ekziston mundësia reale që të përsëritet. Po të përsëritet, personi në fjalë mund të mos jetë me aq fat!
Njëri prej shkaqeve kryesore dhe më të shpeshta është ateroskleroza e enëve të mëdha të gjakut në qafë. Deponimi i elementeve të gjakut dhe i yndyrnave në murin e enëve të gjakut shkaktojnë ngushtimin gradual të kanalit (lumenit) të arteries. Ky ngushtim kohë pas kohe nuk lejon qarkullimin e gjakut nëpër arterie dhe rrjedhimisht në pjesët që mbeten përtej ngushtimit nuk kemi furnizim adekuat me gjak. Kjo gjendje shkakton një apo disa simptoma të lartpërmendura. Niveli i ngushtimit të arteries është domethënës për të vendosur mënyrën e trajtimit që do të ndiqet. Në ngushtimet që janë nën 50%, zbatohet zakonisht terapia me hollues të gjakut, p.sh. Acidi acetilsalicilik (Aspirin®).
Në ngushtimet prej 50-70% shpesh kemi nevojë për kombinimin e dy holluesve të gjakut, kështu që krahas Aspirinës, terapisë i shtohet edhe Dipiridamoli apo Klopidogreli. Kur bëhet fjalë për ngushtimin e kanalit të arteries në vlerë prej më tepër se 70%, kemi indikacion të qartë për ndërhyrje kirurgjikale apo zgjerim të arteries në mënyrë endovaskulare (stent). Vendimi për mënyrën e ndërhyrjes merret në bazë të gjendjes së përgjithshme të pacientit, faktorëve të rrezikut që e shoqërojnë, mosha dhe mendimi i radiologut dhe kirurgut vaskular.
Meqenëse në krijimin e këtyre deponimeve në muret e arterieve ndikojnë diabeti dhe hiperlipidemia, pjesë e strategjisë terapeutike është edhe përdorimi i barnave për ulje të nivelit të sheqerit dhe të yndyrnave në gjak.
Vëmendje të veçantë duhet t’i kushtojmë edhe pranisë së faktorëve kardiakë që mund të ndikojnë në krijimin e trombeve në zemër dhe të cilat më pas mund të shkëputen dhe të bllokojnë ndonjë arterie në tru. Prandaj, realizimi i elektrokardiografisë (EKG) është mjeti i parë me të cilin mundohemi të detektojmë një mundësi të tillë. Procedojmë më tutje me realizimin e ekokardiografisë (ultrazëri i zemrës) dhe të monitorimit së paku 24-orësh të ritmit të zemrës me një aparat që quhet holter.
Ekokardiografia për synim ka të detektojë praninë e mundshme të trombeve në muret e zemrës, gjendjen e valvulave (kapakëve) të zemrës dhe plasaritjet eventuale në murin ndarës të zemrës. Kurse, holteri është një aparat të cilin pacienti e mban me vete së paku 24 orë (mund ta mbajë edhe më gjatë) dhe gjatë kësaj periudhe bëhen regjistrime të vazhdueshme të ritmit të zemrës, me të cilën gjë synojmë të marrim informata për ekzistimin e çrregullimeve të ritmit. Ngase, çrregullimi i ritmit të zemrës është një faktor që i jep mundësi krijimit të trombeve dhe rrezikimit pasues të trurit nga shkëputja e tyre dhe hedhja në qarkullim.
Zbulimi i çfarëdo gjendjeje që i hapën rrugë krijimit të trombeve në zemër krijon bazën qoftë për ndërhyrjen kirurgjikale dhe korrigjimin e defektit, qoftë për fillimin e përdorimit të terapisë së ashtuquajtur “antikoaguluese” me të cilën synohet hollimi i gjakut dhe shkrirja e këtyre trombeve në qarkullim.
Faktet që duhet t’i keni parasysh për sulmin kalimtar iskemik:
– Shpeshtësia e paraqitjes së sulmit kalimtar iskemik vlerësohet të jetë 4 raste në 10.000 banorë.
– Gjasat për paraqitje shtohen me përparimin e moshës.
– Llogaritet se 15% e infarkteve të trurit paraprihet nga një sulm kalimtar, paralajmërues.
– Rreziku për infarkt të trurit pas një sulmi kalimtar iskemik është 4% pas 2 ditësh, 8% pas 30 ditësh dhe 9% pas 90 ditësh.
– Individët me sulm kalimtar iskemik të shkaktuar nga sëmundja e arteries karotide në qafë kanë rrezik të shtuar edhe për sëmundjen e arterieve të zemrës. /Telegrafi/