Të paktën 15 persona janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur në një sulm në një faltore fetare shiite në qytetin jugor iranian të Shirazit, sipas medias shtetërore të vendit, IRNA.
Raporti thotë se sulmi, i cili ndodhi në tempullin Shah Cheragh herët në mbrëmjen e së mërkurës, u krye nga tre burra të armatosur që hynë në faltore.
Dy nga sulmuesit janë kapur, ndërsa një është ende në arrati, raporton aljazeera.
Është e paqartë se kush qëndron pas sulmit, por IRNA tha se sulmuesit vepruan si “terroristë tekfiri”, duke iu referuar grupeve të tilla si ISIL (ISIS).
Nour news, një media e lidhur me shtetin iranian, raportoi se sulmuesit nuk ishin shtetas iranianë, raporton reuters.
Shirazi është një destinacion popullor për pelegrinazhe dhe turizëm, dhe sulmi i fundit i tillë që ndodhi në qytet ishte në prill 2008, kur një bombë e vendosur në një xhami vrau 14 njerëz.
Sulmi vjen ndërsa Irani vazhdon të përballet me protesta që nga vdekja e shtatorit e Mahsa Amini, një 22-vjeçareje e cila vdiq pasi u arrestua nga policia morale e vendit për veshjen e “hixhabit të pahijshëm”.
E mërkura shënoi 40 ditë që kur Amini vdiq dhe pa mijëra njerëz të mbledhur në qytetin e lindjes së Amini në veriperëndim të Iranit. /Telegrafi/