Nga: Enida Himaj
“Big Brother”, “E diell”, “1001 pse”, “Top Fest”, “Super models of Albania” janë vetëm disa nga sukseset që Arbana Osmani rendit në vitet e saj si moderatore e Top Chanel. Prej vitesh tashmë jemi mësuar me imazhin e saj në televizionet tona. Fillimet për të nuk kanë qenë dhe shumë të thjeshta, megjithatë duket se ia ka dalë të jetë e para. Gjithçka për të kishte nisur në vitin 1997, kur për shkak të trazirave iu desh të kalojë shumë kohë e mbyllur në shtëpi duke lexuar shumë e duke parë shumë televizionin italian. “Librat që lexoj a pa pushim më ndihmuan të njoh më mirë gjuhën shqipe, ndërsa televizioni italian më ngacmoi ambicien për të provuar veten”, – ka rrëfyer Osmani.
Me hapjen e televizionit kombëtar “Top Channel”, Arbana bëri një kalim të natyrshëm drejt televizionit, duke prezantuar fillimisht programin muzikor “Select” dhe pas tij edhe finalen e madhe të Top- Fest 1. Pika kyçe për karrierën e saj ishte shansi që Top Channel i dha kur i besuan prezantimin e programit më të rëndësishëm deri atëherë, Big Brother. Arbana e kishte ndjekur me qejf versionin italian të njohur si Grande Fratello, ndaj dhe ngulmoi që ky format në Top Channel t’i besohej asaj. Që nga ky moment Arbana është identifikuar me këtë format shumë të suksesshëm në botë.
Veshja, pika e saj e (dobët) fortë
Shpeshherë Arbana është vënë në qendër të komenteve për veshjen e saj. Mediat dhe publiku fillimisht nuk e pëlqenin veshjen e saj, duke e quajtur shumë shpesh edhe të tepruar. Megjithatë, imazhi i Arbanës duket se u përmirësua shumë shpejt. Albana përditë e më shumë shfaqet në ekranet tona me veshje që janë tendencë në botë si dhe me markat më të njohura. E nëse flasim për këpucët, duhet thënë se janë pika e saj e fortë. Të gjithë e kujtojmë atë në edicionin e vjetshëm të Big Brother, ku bëri një revolucion në Shqipëri duke qenë e para që vishte këpucë pa taka “Zannoti”. Sa për të preferuarat e saj, natyrisht që “Loubutin” janë gjithnjë pjesë e këmbëve të saj. “Uroj që të mos ju zhgënjej në të ardhmen dhe uroj të mos e merrni shumë seriozisht veshjen e askujt. Në fund të fundit, secili nga ne meriton të vishet ashtu siç ndihet më mirë”, – ka pohuar Arbana sa i përket pamjes së saj të jashtme.
Receta për njerëzit që dua
Një pasion i saj i vjetër, natyrisht që ka qenë edhe kuzhina. Prej kohësh Arbana po përgatitej të sillte edhe një libër, të cilin e hodhi në treg vetëm vitin e shkuar. Natyrisht që interesi për recetat e veçanta të Arbanës ishte shumë i madh. Libri nuk është thjesht një libër i mbushur vetëm me receta, por sjell përjetimet personale të moderatores, është pothuajse një album familjar i saj, i rrëfyer përmes recetave të gatimit.
Cinderella e kohëve moderne
“Po ndihem si Cinderella me dashurinë time”,- ishte shprehur moderatorja më e suksesshme shqiptare Arbana Osmani, kur e kishin pyetur për lidhjen e saj. Por, kjo ka qenë deklarata e vetme që moderatorja simpatike kishte dhënë ndonjëherë në lidhje me jetën e saj private. Mirëpo, ajo ka publikuar një foto në rrjetin social “Instagram” ku ka ndarë lumturinë e dashurisë me fansat e saj, me përshkrimin ‘Baby kiss me, before they turn the lights out… love of my life’. (zemër, më puth para se të fiken dritat… dashuria e jetës sime). Mesa duket, Arbana ka vendosur të thyejë akullin sa i përket jetës së saj private duke pranuar kështu të prezantojë për publikun bashkëshortin e saj, me të cilin prej 12 vitesh kanë një marrëdhënie të konsoliduar.