Si rrjedhojë e dialogut të zhvilluar mes përfaqësuesve të komunitetit dhe zyrtarëve komunalë të Suharekës, të mërkurën, në sheshin e qytetit, është zhvilluar Marshi sensibilizues mbi të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara si dhe është inauguruar smart zona.
Komuna e Suharekës ka njoftuar se të dyja këto aktivitete kanë ardhur si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin, raporton Telegrafi.
“Këto aktivitete shënuan rezultatet e bashkëpunimit të ngushtë në mes të grupeve të komunitetit dhe zyrtarëve të Komunës së Suharekës, të cilat derivojnë nga zotimet e përcaktuara në Agjendën e Kontratës Sociale për Suharekën, proces i cili u ndërtua mbi parimin e bashkëpunimit dhe angazhimit të ndërsjellë, për të adresuar nevojat dhe sfidat e komunitetit”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se këto aktivitete do të shërbejnë si model dhe urë e bashkëpunimit ndërmjet grupeve të komunitetit dhe zyrtarëve të komunës, për të avancuar edhe më tej qeverisjen lokale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka vlerësuar se buxhetimi me pjesëmarrje është një storie suksesi në këtë komunë.
“Projekti i Kontratës Sociale do të vazhdoj edhe në vitet e ardhshme”, ka thënë ai.
Përfaqësues nga Handikosi kanë sqaruar se pas përmbylljes së punëtorisë për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara është realizuar marshi për të drejtat e tyre, raporton Telegrafi.
Ndërsa, Shpejtim Ndrecaj, përfaqësues i grupeve të komunitetit për idenë e smart zonave ka pohuar se ky projekt do ti shërbejë të rinjve, por edhe grup moshave tjera.
“Ideja jonë e grupit të qytetarëve për zonat e mençura ka gjetur përkrahje nga Komuna dhe USAID-i dhe jam i gëzuar për këtë projekt i cili do të jetë në shërbim të rinisë dhe të të gjithë qytetarëve”, është shprehur ai.
Projektet në fjalë janë realizuar me përkrahjen e USAID në kuadër të aktivitetit të Kontratës Sociale. /Telegrafi/