Site icon Telegrafi

Suedia dhe Irlanda ndahen të barabartë (Video)

Suedia dhe Republika e Irlandës kanë ndarë pikët në ndeshjen e grupit E.

Suedezët kanë barazuar me irlandezët me rezultat 1:1 në takimin e zhvilluar në stadiumin Stade de France të Saint-Denisit.

Megjithëse në pjesën e parë te dyja kombëtaret e kërkuan rrugën e golit, ekipet respektive nuk arritën të tundin rrjetën e golit dhe kështu 45 minutshi i parë përfundoi pa gola.

Pjesa e dytë ishte më e mirë për sytë e shikuesve pasi që u realizuan edhe dy gola mjaft të bukur, raporton Telegrafi.

Fillimisht, irlandezët realizuan golin e epërsisë për të barazuar më pas suedezët.

Me një goditje fantastike nga largësia, Wesle Hoolahan realizoi gol në minutën e 48-të të takimit.

Por, pas sulmeve të njëpasnjëshme të suedezëve erdhi edhe goli i barazimit. Luhej minuta e 71-të, kur Suedia ka barazuar rezultatin me anë të një autogoli.

Ishte futbollisti më i mirë i kësaj kombëtare, Zlatan Ibrahimovic, i cili dërgoi një top në zonë, ku mbrojtësi irlandez, Ciaran Clark, në tentim për të hequr topin nga zona, e futi në golin e tij.

Në vazhdim të takimit më nuk pati gola dhe ndeshja përfundoi 1:1.

Pas këtij rezultati, Suedia dhe Republika e Irlandës kanë nga një pikë secila në grupin E, ku gjenden edhe Belgjika dhe Italia, të cilat do të takohen sonte (e hënë) me fillim në ora 21:00. /Telegrafi/

Exit mobile version