Site icon Telegrafi

Subvencionimi për izolimin e shtëpisë, Fondi për Efiçiencë mbyll para kohe thirrjen: Janë pranuar mbi 2,000 aplikime

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton qytetarët se është mbyllur aplikimi për thirrjen publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Sipas FKEE-së, mbyllja e parakohshme është si rezultat i pranimit të mbi 2,000 aplikimeve.

“Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të mbi 2,000 aplikimeve, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve, kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45 për qind të shumës (5 për qind bonus për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5,500 euro”, thuhet në arsyetimin e FKEE-së.

Aty thuhet se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes dhe se janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit.

Lexo po ashtu Subvencionimi për izolimin e shtëpisë, si mund të përfitoni dhe deri në çfarë shume?

“Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes së tyre dhe tashmë janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit. Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument, duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike (Thirrja Publike) deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë”, përfundon njoftimi.

Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. /Telegrafi/

Exit mobile version