Site icon Telegrafi

Subvencionet për efiçiencë të energjisë – zgjatet afati për aplikim në fazën e dytë

Ministria e Ekonomisë njoftoi të martën se ka vendosur të zgjasë afatin për aplikim në fazën e dytë deri më 7 nëntor 2022, për Subvencionim të efiçiencës së energjisë, të parakualifikuar në Fazën 1.

Sipas njoftimit, zgjatja e afatit bëhet duke u bazuar në kërkesat e aplikantëve, të cilët kanë aplikuar në fazën e parë dhe të cilët në mungesë të kapaciteteve të kompanive për liferim/montim të pajisjeve, e kanë të pamundur që të kryejnë procedurat e parapara brenda afatit të paraparë për aplikim në fazën e dytë.

“Andaj duke u bazuar në Ligji Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Ministria e Ekonomisë ka vendosur që palëve të interesuara t’ua mundësojë realizimin e kërkesave për subvencionim, respektivisht arritjen e objektivit të kësaj Thirrje”, thuhet në komunikatën për media.

Ministria fton të gjithë qytetarët që janë parakualifikuar në fazën e parë, që sa më parë të kryejnë këtë proces në mënyrë që të jenë përfitues të subvencionit.

Ndryshe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë ka prezantuar masat për subvencionim të efiçienës së energjisë për qytetarët.

Rizvanolli me anë të një konference për medie, ka bërë të ditur se kaldajat me djegie me biomasë, drutë, peleti dhe briketi do të përkrahen në masë prej 70 për qind.

“Nga sot kemi hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve eficiente për ngrohje për qytetarë në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet që do të subvencionohen si kaldajat me djegie me biomasë, dru, pelet dhe briket që do të përkrahet në masë prej 70 për qind të vlerës së investimit ose në vlerë prej 1,200 euro”, ka thënë Rizvanolli, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, ajo ka deklaruar se pompat termike, kondicionerët dhe stufat janë disa nga pajisjet që do të përkrahen.

Aplikimi për këto bëhet online përmes platformës e-Kosova dhe kriteret janë të specifikuara në thirrjen për aplikim.

Sipas Rizvanollit, me anë të kësaj mase do të përkrahen së paku 10 mijë familje. /Telegrafi/

Exit mobile version