Një studente 19-vjeçare nga India e cila u paraqit në provim me pantallona të shkurtra u detyrua të mbulonte këmbët me perde, pasi mësuesja e kritikoi për rrobat e saj.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Jublee Tamuli kishte udhëtuar 70 kilometra nga shtëpia e saj për provimin që është mbajtur në qytetin Tezpur të Assam së bashku me babanë e saj.
Babai i saj nxitoi në dyqan për të blerë një palë pantallona, por ajo thotë se e mori perden pasi testi kishte kohë të limituar.
Tamuli deklaroi se ishte “përvoja më poshtëruese e jetës së saj”.
“A është krim të veshësh pantallona të shkurtra?”, pyeti ajo gazetarët jashtë qendrës së provimeve.
“Të gjitha vajzat veshin pantallona të shkurtra. Dhe nëse nuk do të donin që ne t’i vishnim ato, ata duhet ta kishin përmendur në dokumentet e provimit”, ka potencuar ajo.
Incidenti ndodhi të mërkurën gjatë provimit pranues për një universitet bujqësor që po mbahej në Institutin e Shkencave Farmaceutike të Girijananda Chowdhury, raportoi The Indian Express.
“Ata nuk kontrolluan për protokollet e COVID-19, sikurse maskat apo matjen e temperaturës… por shikuan pantallonat e shkurtra”, gazeta thuhet të ketë cituar deklaratën e saj. /Telegrafi/