Site icon Telegrafi

Studenti i UBT-së gjen mangësi në Instagram, shpërblehet nga kompania

Studenti i vitit të parë në Shkenca Kompjuterike në UBT, Benjamin Gecaj është futur në listën e personave që do të pranojë shpërblim nga kompania “Instagram”, kjo pasi që ai ka arritur të gjejë mangësi në këtë rrjet social.

Gecaj është i vetmi student shqiptar nga miliona përdorues të Instagram-it, që ka arritur të përmirësojë gabimet e kësaj platforme, andaj si shpërblim ai do t’i marrë 25 mijë dollarë.

Ai ka theksuar se Instagram është platformë që ka tipare dalluese, por gjithsesi sipas tij nuk ka qenë e vështirë që të gjejë mangësi në sigurinë e përdoruesve.

“Për disa muaj rresht kam testuar mangësitë dhe gabimet e Instagram-it dhe kam raportuar tek kompania, me ç’rast si kundërpërgjigje ata më aprovuan testimet, si dhe më kanë shpërblyer me një shumë të konsiderueshme të të hollave, që pres t’i marrë ditëve në vazhdim”, tregoi Gecaj, i cili duke shpjeguar mënyrën e realizimit të kësaj pune, shtoi se ka arritur që me llogari të rrejshme, të mbyllë shumë llogari të përdoruesve.

Vlen të theksohet se Gecaj këtë vit akademik është transferuar nga kolegji AUK, me ç’rast ai ka vlerësuar se UBT është institucion i përkushtuar ndaj studentëve që e konsideron si një ndër asetet më të çmuara.

“UBT dallon nga gjitha institucionet e tjera arsimore, në rend të parë ofron shumë mundësi për studentët, po ashtu ofron programe bashkëkohore studimi, sipas standardeve më cilësore ndërkombëtare”, theksoi ai, duke shtuar se “UBT është institucion inovativ i arsimit të lartë në Kosovë dhe në rajon dhe u bëj thirrje të gjithë atyre që dëshirojnë t’i vazhdojnë studimet, të bëhen pjesë e UBT-së”.

Ndërkohë në UBT ka filluar transferimi i studentëve nga universitetet dhe kolegjet e tjera, për përfundim të studimeve, ku dhe janë shpallur procedurat e aplikimit, derisa vetëm këto ditë, mbi 100 studentë kanë aplikuar për transferim në UBT.

Exit mobile version