Site icon Telegrafi

Studentët nga Beogradi shkuan në këmbë në Novi Sad

Mijëra studentë që u nisën pardje (enjte) në mëngjes nga Beogradi arritën mbrëmë vonë në Novi Sad, ku u pritën nga kolegët e tyre, por edhe nga shumë qytetarë të tjerë.

Siç raporton nova.rs, bulevardi Mihajlo Pupin, që çon në Urën e Varadinës, është plot me njerëz, pothuajse deri te ndërtesa e Banovinës.

Qytetarët kanë lënë një hapësirë të lirë që studentët të mund të kalojnë. Përmes kësaj rruge parakaluan edhe studentët e Universitetit të Novi Sadit, të cilët po i presin kolegët e tyre nga Beogradi.

Në mes të Urës së Varadinës, mbi një tapet të kuq, simbolikisht u takuan dy studentë nga Beogradi dhe Novi Sadi, duke shkëmbyer flamujt e dy universiteteve.

Studentët nga të dy qytetet po marshojnë së bashku drejt Stacionit të Trenit, ku do të nderojnë viktimat e shembjes së strehës më 1 nëntor të vitit të kaluar, kur humbën jetën 15 persona.

Në krye të kolonës janë vendosur 15 kurora me emrat e të ndjerëve.

Ndryshe, kryeministri serb, Milosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqje disa javë pas tragjedisë pas një presioni të madh të publikut. Megjithatë, studentët kërkojnë që përgjegjësitë të dalin para drejtësisë. /Telegrafi/

Exit mobile version