Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë zhvilluar një platformë për identifikimin e jetimëve dhe mbështetjen e tyre në zhvillimin e karrierës.
Ky projekt synon të ofrojë mundësi për jetimët, duke i pajisur me trajnime profesionale dhe certifikata që rrisin shanset për punësim.
“Platforma u mundëson jetimëve aplikimin për trajnime të ofruara nga profesorët e universitetit, të cilat zhvillohen në përputhje me kërkesat e bizneseve. Po ashtu, universiteti rekomandon jetimët për punësim në kompanitë bashkëpunuese dhe monitoron punësimin e tyre për të matur efektet e trajnimeve në tregun e punës,” thuhet në njoftim.
Projekti kontribuon në mbështetjen e jetimëve duke lehtësuar përfshirjen e tyre në shoqëri dhe duke përmirësuar proceset e identifikimit dhe zhvillimit të karrierës së tyre.
“Platforma, e realizuar në formë elektronike, përmirëson proceset ekzistuese të identifikimit të jetimëve dhe ndihmon në zhvillimin e karrierës së tyre profesionale,” theksohet në njoftim.
Krijuesit e kësaj platforme janë studentët Vesa Ibrahimi, Rukije Ajeti, Tringa Syla, Dorarta Syla dhe Blend Halimi, të cilët e zhvilluan projektin në kuadër të lëndës Projekti SEW, nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni.
Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni vlerësoi angazhimin e studentëve dhe nënvizoi rëndësinë e këtij projekti për përgatitjen e tyre për tregun e punës.
“Ky projekt ka një rëndësi të veçantë për jetimët e Kosovës, pasi jo vetëm që tregon aftësitë e studentëve, por gjithashtu thekson mbështetje institucionale për të mundësuar arritje të jashtëzakonshme për jetimët, pavarësisht sfidave që ata hasin në jetën e tyre,” theksoi ajo.
Ajo beson se kjo platformë do të shërbejë si një model frymëzues për brezat e ardhshëm të studentëve dhe stafin akademik. /Telegrafi/