Telegrafi

Struga Trim Lum nesër luan ndeshjen e mbetur ndaj Vardarit

Kampionët në fuqi të Superligës së Maqedonisë së Veriut, Struga Trim Lum nesër do të luajnë ndaj Vardarit në ndeshjen e mbetur të xhiros së pestë të kampionatit.

Takimi ndërmjet këtyre dy skuadrave ishte i përcaktuar të luhet me 27 gusht, kur u zhvilluan edhe ndeshjet tjera të kësaj xhiroje, mirëpo me kërkesë të struganëve e njëjta u shty për me 1 nëntor për shkak të paraqitjeve të kampionëve në eliminatoret evropiane, ku arritën deri në play-off të Ligës së Konferencës.

Aktualisht Struga Trim Lum me një ndeshje më pak, mban pozitën e tretë në renditjen tabelare me 21 pikë të tubuara, katër më pak se Shkëndija dhe Shkupi që ndodhen para saj.

Në rast triumfi në takimin e nesërm, skuadra e Shpëtim Duros do ta ngushtojë diferencën në një pikë me dy pretendetet tjerë për titullin e kampionit.

Ndërkohë sa i përket Vardarit që këtë vit u inkuadrua në Superligë, nuk po kalojnë momente të mira, pasi nuk “lëvizin” nga pozita e fundit në tabelë me 11 pikë të grumbulluara deri më tani.

Ndeshja ndërmjet Strugës dhe Vardarit zhvillohet nesër (e mërkurë), duke nisur nga ora 13:00. /Telegrafi/