Telegrafi

Struga Trim Lum kampion i vjeshtës në Superligën e Maqedonisë

Struga Trim Lum e ka mbyllur në vendin e parë gjysmësezonin vjeshtor në Superligën e Maqedonisë së Veriut.

Kampionët në fuqi, arritën që të triumfojnë me rezultat 2:1 ndaj Bregallnicës në ndeshjen e fundit të kampionatit për këtë vit dhe e mbyllën në krye të renditjes gjysmësezonin.

Skuadra e Shpëtim Duros triumfojë falë golave të Campaores të realizuara nga një në secilën pjesë, teksa për ekipin nga Shtipi golin e gjetin Velkoski.

Fitore mori edhe Shkupi në Strumicë, aty ku mundi Brerën me golin e vetëm të Trapanovskit të realizuar në minutën e 47-të.

Ndërkohë Shkëndija në Tetovë mposhti Sileksin me shifra 3:1. Dy herë Aganspahiç shënoi në portën e skuadrës nga Kratova, përderisa Totre shënoi golin e tretë dhe final për këtë sfidë. Golin e vetëm për Sileksin e shënoi Gjorgjievski nga penalltia. Kujtojmë se kuqezinjtë e Ardian Nuhiut e mbyllën ndeshjen me një futbollist më pak në fushë, pasi në minutën e 69-të, Bruno Dita u përjashtua nga fusha me karton të kuq.

Me fitore e ka mbyllur gjysmësezonin në Superligën e Maqedonisë edhe skuadra shqiptare nga Ohri, Voska Sport që në shtëpi mundi Rabotniçkin me rezultatin 3:2, teksa në duelin tjetër Vardari mori triumf përballë Tikveshit me shifra 2:0.

Superliga e Maqedonisë së Veriut shkon në pauzë dimërore dhe rikthehet me 18 shkurt të vitit 2024 me ndeshjet e xhiro së 19-të. /Telegrafi/