Struga Trim Lum ka fituar Rabotniçkin në transfertë me rezultat 2:1 në ndeshjen e luajtur pasditën e kësaj të diele në kuadër të xhiros së 24-t në Superligën e Maqedonisë së Veriut.
Pjesa e parë e luajtur në “Todor Proeski” u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në fraksionin e dytë ekipi i trajnerit Shpëtim Duros zhbllokoi shifrat në minutën e 52-të përmes Radeskit.
Vendasit u përgjigjën me Stojanovskin në të 69-tën për barazim të përkohshëm 1:1, pasi që vetëm një minutë më vonë Vlajkovic shënoi për Strugën për shifra 2:1
Ky doli të jetë rezultati final i ndeshjes, me Strugën që arkëtoi tre pikë nga ky duel në kryeqytet dhe forcon kreun në renditjen tabelare me 51 pikë, tre më shumë se ndjekësi më i afërt Shkupi dhe gjashtë më shumë se Shkëndija e vendit të tretë.
Kujtojmë se kjo ishte ndeshja e fundit e luajtur për xhiron e 24-t, përderisa kampionati shkon në pauzë për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare. /Telegrafi/