Telegrafi

Struga Trim Lum dhe Shkupi marrin fitore, Shkëndija ndalet nga Brera Strumicë

Rikthimi i Superligës së Maqedonisë së Veriut ka rezultuar i mirë vetëm për Shkupin dhe Struga Trim Lum që regjistruan triumfe në xhiron e 11-të të luajtur mesditën e kësaj të diele, përderisa e njejta nuk mund të thuhet për Shkëndijën, Gostivarin dhe Voska Sportin.

Kampionët në fuqi të këtij kompeticioni mundi në kryeqytet Makedonija Gjorçe Petrovin me rezultat 3-0. Tre autorët e golave ishin Zguro, Mazrekaj dhe Ibraimi.

Skuadra e Shkupit falë golit të Darko Ilievskit të realizuar në minutat e para të pjesës së parë, arriti të merr tre pikë në duelin me Bregallnicën e Shtipit, të luajtur në stadiumin e Kumanovës, pasi fusha në Çair është duke u riparuar.

Shkëndija e Tetovës pas dy fitoreve radhazi në kampionat, ka “ngecur” me Brera Strumicën në ndeshjen e sotme të luajtur në Tetovë, pasi kuqezinjtë e Ardian Nuhiut nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1. Punët mund të ishin edhe më keq, pasi mysafirët nga Strumica realizuan të parët në minutën e 75-të, përderisa katër minuta më vonë, Shala gjeti golin për të barazuar shifrat, të cilat nuk ndryshuan deri në fund.

Gjithashtu edhe derbi shqiptar në Gostivar nuk prodhoi fitues, pasi dueli Gostivari – Voska Sport u mbyll me barazim 1-1 dhe me nga një pikë për të dyja skuadrat. Gjithashtu vlen të theksohet se në këtë përballje shqiptare në fillim të ndeshjes, tifozët vendas shpalosën banderolën “FREE PALESTINE”.

Në dy takimet tjera, Rabotniçki u mund nga Vardari me shifra 1-0, përderisa me rezultat identik Sileksi mundi Tikveshin. /Telegrafi/