Site icon Telegrafi

Struga rikthehet te fitorja, gabojnë Shkupi dhe Shkëndija

Mesditën e kësaj të mërkurë janë zhvilluar ndeshjet e xhiros së 22-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut.

Struga Trim Lum është rikthyer te fitorja në kampionat, pasi në shtëpi mundi Makedonija Gjorçe Petrovin me rezultatin 2:1. Dy golat për triumfin e kampionëve në fuqi i realizuan Bunjamin Shabani në minutën e 13-të dhe Marjan Radeski në të 21-të, ndërsa për skuadrën nga kryeqyteti shënoi shqiptari, Altin Aliji.

Ndërkohë tre skuadra tjera shqiptare nuk arritën të gjejnë fitore, duke u ndalur me barazime. Shkupi dhe Shkëndija bënë nga një hap fals në garën për titullin, duke u ndalur me barazime në këtë xhiro. Skuadra bardheblu nuk shkoi më shumë se një rezultat 0:0 në Shtip përballë Bregallnicës, teksa me të njejtat shifra u mbyll edhe takimi i luajtur në Strumicë ndërmjet Shkëndijës dhe Brerës.

Skuadra tjetër shqiptare, Voska Sport ishte shumë afër fitores në përballjen me Gostivarin, por ndeshja u mbyll me barazim 1:1.

Në dy ndeshjet tjera të ditës së sotme, Vardari mundi Rabotniçkin me rezultatin 1:0, përderisa Sileksi u mposht në Kavadar nga Tikveshi me shifra minimale 1:0.

Superliga e Maqedonisë së Veriut vazhdon me ndeshjet e xhiros së 23-të në fundjavë./Telegrafi/

Exit mobile version