Site icon Telegrafi

Struga mbanë kreun e vetmuar, Gostivari e fiton derbin me Shkupin, Shkëndija ndalet në barazim

Java e dytë e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut ka përfunduar, duke e lënë Strugën dominuese në kampionat, pasi ka siguruar një tjetër fitore minimale 1-0, kësaj radhe ndaj ekipit të Besës nga Dobërdollit.

Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Sava Radiq në minutën e 49-të, duke e mbajtur Strugën në krye të renditjes me pikë të plota nga dy javët e para.

Shkëndija e Tetovës nuk arriti të merr më shumë se një barazim 1-1 ndaj Rabotniçkit të Shkupit, në një ndeshje ku tetovarët kaluan në epërsi falë një autogoli të Alomeroviqit.

Megjithatë, Rabotniçki barazoi në minutën e 53-të me golin e Atdhe Mazari, duke e bërë kështu të pamundur fitoren për ekipin e Shkëndijës. Kujtojmë se Rabotniçki nuk realizoi edhe një penallti në pjesën e parë.

Derbi mes Gostivarit dhe Shkupit përfundoi me fitore të pastër 2-0 për Gostivarin. Futbollisti turk, Alper Potuk shënoi të dy golat, një nga pika e bardhë e penalltisë dhe tjetrin pas një solo aksioni të shkëlqyer, duke vendosur rezultatin përfundimtar që në pjesën e parë.

Voska Sport pësoi humbjen e parë të sezonit në Kavadar, ku Tikveshi triumfoi me rezultat 2-1. Ediz Spahiu shënoi dy herë për Tikveshin, ndërsa Jahja shënoi golin e vetëm për Vosken në minutën e 76-të, duke ngushtuar rezultatin.

Në ndeshjen tjetër të orës 17:00, Sileksi ka shpartalluar ekipin e AP Brera nga Strumica me rezultat 4-0, duke treguar formë të shkëlqyer në këtë fillim sezoni.

Pas dy javësh, Struga qëndron e vetme në krye të tabelës me gjashtë pikë, ndërsa Shkëndija, Gostivari dhe Rabotniçki ndajnë vendin e dytë me nga katër pikë secila. Kampionati vazhdon të jetë i ngushtë dhe konkurrues, me shumë ekipe që synojnë të mbajnë ritmin e lartë të Strugës që po tregon në nisje të sezonit të ri. /Telegrafi/ 

Standings provided by Sofascore
Exit mobile version