Telegrafi

Struga fillon shkëputjen, Gjoka “viktima” e parë pas dy jave lojë

Java e dytë e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut solli një sërë rezultatesh interesante, veçanërisht për ekipet shqiptare, njofton Telegrafi Maqedoni.

Struga vazhdon të tregojë forcën e saj në kampionat, duke marrë fitoren e dytë radhazi. Në përballjen e djeshme, ata triumfuan kundër Besës së Dobërdollit, duke shkuar në kreun e tabelës me gjashtë pikë të plota.

Me këtë rezultat, Struga është e vetme në krye të klasifikimit dhe konfirmon synimet për të qenë një pretendent serioz për titullin kampion.

Gostivari e fitoi derbin ndaj Shkupit me rezultat 2-0, fitore që tregon ambiciet e këtij ekipi për të qenë në mesin e skuadrave pretendente për kreun e tabelës. Gostivari po tregon lojë të fortë dhe stabilitet, çka i jep ekipit një shtysë të madhe në synimet e tyre për këtë sezon. Nga ana tjetër disfata e Shkupit i kushtoi largim trajnerit Ernest Gjoka, i cili nag dy përballje mori vetëm një pikë.

Shkëndija, nga ana tjetër, nuk arriti të shfrytëzojë avantazhin e terrenit vendas në Tetovë, duke barazuar 1-1 me Rabotniçkin. Rezultati ishte zhgënjyes për ekipin e udhëhequr nga Jeton Beqiri, i cili priste më shumë nga kjo përballje. Edhe pse shpresat ishin për një fitore që do t’i mbante në krye, barazimi i lë ata me katër pikë pas dy ndeshjeve.

Voska Sport pati një fundjavë të vështirë, ku u mund nga Tikveshi me rezultat 2-0. Me vetëm një pikë nga dy ndeshjet e para, Voska duhet të gjejë rrugën për të rikuperuar në javët e ardhshme nëse dëshiron të mbetet në mesin e më të mirëve.

Në ndeshjet tjera të kësaj jave, Sileksi dominoi ndaj AP Brera, duke fituar me rezultat të thellë 4-0, ndërsa Vardari shënoi fitoren e parë të sezonit duke e mundur Pelisterin e Manastirit me rezultat 1-0.

Java e tretë premton përballje edhe më interesante, me ekipet që do të kërkojnë të konsolidojnë pozitat e tyre në tabelë dhe të vazhdojnë të ndjekin objektivat e sezonit.

Lexo po ashtu Shkupi largoi Ernest Gjokën

Sigurisht se më interesant pritet të jetë në Çair, ku do të lihet derbi i zjarrtë mes dy rivalëve të vjetër të qytetit të Shkupit, ku FC Shkupi do të përballet me Vardarin. Shkupi, i cili ka vetëm një pikë deri tani dhe po përballet me ndryshime pas shkarkimit të trajnerit Ernest Gjoka, do të duhet të bëjë shumë për të shmangur pozitat e fundit të tabelës. Ky derbi është një shans i madh për të rikthyer moralin e ekipit dhe për të fituar pikë të rëndësishme.

Ndërkohë, kampioni aktual dhe lideri i tabelës, Struga, do të udhëtojë drejt Shkupit për një ndeshje të vështirë kundër Rabotniçkit. Shkëndija përballet ndaj AP Breras në Strumicë. Një tjetër derbi interesant do të jetë përballja mes ekipeve shqiptare, ku Voska Sport do të jetë nikoqire e Gostivarit. Voska, me vetëm një pikë deri tani, do të kërkojë të gjej formën e fitores. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore