Telegrafi

Streameri i njohur Shroud është rikthyer në garat e eSports, tani pjesë e një ekipi të video-lojës Valorant

Me datën 8 korrik ekipi i njohur i video-lojës Valorant, Sentinels, ka njoftuar se ish ylli i CS:GO dhe streameri i njohur Michael “shroud” Grzesiek, do të jetë pjesë e tyre.

Kjo do të jetë hera e parë që shroud do të luajë për një ekip profesionist që nga largimi i tij nga ekipi i CS:GO, Cloud9, pasi aj u pensionua nga skena profesionale e CS:GO përgjithmonë.

28 vjeçari pritet ta zëvendësoi lojtarin Hunter “SicK” Mims për një kohë, pasi ky i fundit është duke bërë një pushim për shkak të problemeve shëndetësore.

Organizata e Sentinels ka konfirmuar se shroud do të luajë në rolin e kontrolluesit gjatë garës së ardhshme të ekipit në turneun “VCT Last Chance Qualifier” në gusht.

Që nga ky lajmërim numri i shikuesve në kanalin zyrtar të streamit të shroud është rritur dukshëm, duke arritur majën deri në 72 mijë shikues të njëkohshëm.

Por ende nuk dihet nëse 28 vjeçari do të jetë pjesë e ekipit për një kohë të gjatë, apo do të jetë vetëm në rolin e zëvendësuesit për një kohë. /Telegrafi/