Site icon Telegrafi

Strategjitë për ta bërë për vete

Më në fund e njohët njeriun që ju intereson, keni lidhur miqësi dhe simpatizoheni shkëmbyerazi; tani problemi qëndron në atë se si ta bëni për vete e ta ndaloni që të shkoj të mbas femrave të tjera.

Një gjë është e qartë, nëse bëhet një kërkim sociologjik mbi argumentin, femra po merr gjithnjë e më tepër një rol më aktiv në joshje. Në gjeneratat e reja, s’është aq e rrallë që ajo të bëjë përpara, t’i kërkojë numrin e telefonit e të dalin. Pak e nga pak është duke u shembur edhe një tjetër shtyllë e pushtetit mashkullor, transmeton Telegrafi.

Gjithmonë e më shumë është ajo që merr iniciativën për të mikluar djemtë. A është e drejtë të hedhësh ti hapat e para e t’i dalësh hapur kur njeh një djalë të mirë, por aq të mirë sa të humbasësh gjumin?

Jemi dakord për një rol më aktiv të femrës në joshje, por gjithmonë s’duhen kaluar disa kufij. Është e drejtë të merret iniciativë, por nuk duhet të bëheni kurrë cipëplasura, shkruan psikologu italian Gianni Gargione.

Ftojeni për të dalë, por gjeni gjithmonë një sebep: një koncert, një shfaqje, një lojë sporti etj. Nëse pas dhjetë telefonatash, pasi keni dalë shtatë e tetë herë së bashku, keni folur gjerë e gjatë dhe ai nuk vendos të bëjë përpara, më mirë lëreni fare atë punë. Mirëfilli nuk i pëlqeni aq sa duhet e ka gjëra të tjera në kokë.

Puna ndryshon nëse ai nuk bën përpara jo sepse nuk i pëlqeni, por ngase është i ndrojtur apo qullash. Në këtë rast s’ka asgjë të keqe nëse i jepni “një të shtyrë”. Atë që nuk arrin ta bëjë “mashkulli” e bën” femra”. Në rastin e parë që do të gjendeni vetëm, mbështetuni tek shpatulla e tij e shtrëngojeni pas vetes me dashuri, po të jetë se nuk ju puth, mbërthejeni e jepini një të puthur të zjarrtë në buzë.

Nëse iu përgjigjet si Dastin Hofman në filmin “Njeriu i shiut”: “I lagësht”, është pa dyshim një torollak. S’do arrini kurrë të nxirrni dhjam nga pleshti. Më mirë varjani e kërkoni një tjetër që të jetë më mashkull.

Gjithsesi kujdes, “metoda aktive”, domethënë femra që i vërdalloset mashkullit s’është dhe aq pa rreziqe. Me një fjalë, merrni iniciativë, dakord, por kurrë s’duhet të futeni në gojën e ujkut. Nëse keni qenë ju që i erdhët vërdallë, mos shkoni menjëherë në shtrat, edhe pse e dëshironi. Jepini të kuptojë se dëshironi një marrëdhënie dashurore, jo një aventurë, gjëra të tilla bëhen kur jeni e sigurt në dashurinë e tij. Nëse ai s’ka qëllime të mira, shpesh lodhet e largohet.

Por mos ekzagjeroni, mos e mbani gjatë mbi gjemba, përndryshe mund të largohet edhe nëse ju do.

Një tjetër dinakëri që duhet përdorur është kjo, të prezantoheni edhe t’i telefononi, po mos ia bëni jetën dhe aq të lehtë. Nëse e shihni se ai nuk bën asgjë, lëreni për njëfarë kohe. Taktika juaj duhet të jetë kjo: fitoni kohë, herë një hap para e herë një hap mbrapa. Kërkojini të dilni, por nëse nuk tregon shumë interes lëreni për njëfarë kohe, pastaj kthehuni përsëri në sulm.

Kur ju kërkon ai që të dilni mos i thoni menjëherë “po”, i thoni se keni punë, por do të bëni të pamundurën që të jeni e lirë. Bëhuni e vlefshme, bëni përpara vetëm kur e shihni se ai nuk vendos. /Telegrafi/

Exit mobile version