Thomas Strakosha ka qenë fytyra tragjike e Lazios javën e kaluar në kuadër të Ligës së Evropës.
Portieri shqiptar bëri një gabim të madh duke shënuar autogol në ndeshjen e Ligës së Evropës ndaj Galatasarayt, ku skuadra turke fitoi 1-0.
Përkundër se autogoli i tij u bë viral në rrjet, tifozët e Lazios e kanë mbështetur portierin shqiptar.
Lacialët shpalosën një pankartë fantastike në përkrahje të Strakoshës.
“Mos e vrit mendjen për ata, por shih përpara dhe bëj pritje. Forca Strakosha”, shkruhej në pankartën e tifozëve të Lazios.
Kjo ka bërë që Strakosha të shpërthej në lot, derisa portieri shqiptar ka shkruar në llogarinë e tij në Instagram për gjestin e madh të lacialëve.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që ndjeva duke hyrë në fushë mes duartrokitjeve plot dashuri dhe më pas te banderola që kishte emrin tim.
“U përpoqa t’i mbaja lotët, por nuk munda. E vetmja gjë që mund të them është që i falënderoj shumë tifozët e Lazios për dashurinë dhe mbështetjen”.
“Ky moment do të mbetet në zemrën time përgjatë gjithë jetës. Tani të punojmë për ta sjellë Lazion aty ku e meriton”, ka shkruar Strakosha. /Telegrafi/