Site icon Telegrafi

Stili jetësor që na mbron nga demenca

Dr. Blerim Myftiu, neurolog

Rreth një e treta e rasteve me demencë mund të parandalohen përmes adresimit të nëntë faktorëve që kanë të bëjnë me stilin jetësor

Dr. Blerim Myftiu
Neurolog

Demenca paraqet një çrregullim neurologjik i cili karakterizohet me humbjen e shumë aftësive të fituara apo të mësuara gjatë jetës nga individë të caktuar. Harresa është simptoma kryesore që bie në sy në këto raste. Ajo kombinohet me shumë çrregullime të tjera, si vështirësia në përqendrim, paaftësia për të lexuar, shkruar, vozitur, çrregullimi i orientimit, vështirësia e gjetjes së fjalëve, dobësimi i komunikimit, izolimi, ndryshimet sociale.

Procesi i patrajtuar mund të shpie deri në humbjen e pavarësisë dhe varësinë nga kujdesi familjar. Derisa një grup demencash mund të jenë degjenerative (si sëmundja e Alzheimerit), disa të tjera mund të shkaktohen nga faktorët që potencialisht mund të trajtohen (si mungesa e vitaminës B12, hipotireoza, depresioni etj.).

Komisioni shkencor ndërkombëtar i përbërë nga 24 ekspertë të fushës së demencës ka identifikuar nëntë faktorë që paraqesin rrezik për paraqitjen dhe zhvillimin e demencës.

Këta nëntë faktorë të rrezikut kanë të bëjnë me stilin jetësor dhe nënkupton që individi në fjalë mund të ndërhyjë në to duke e bërë eliminimin nga jeta të këtyre faktorëve apo trajtimin e tyre.

Duke i trajtuar këta faktorë të stilit jetësor, arrihet të zbutet dhe madje të parandalohet demenca.

Faktorët e identifikuar të rrezikut janë:

▪ Në rini: moskryerja e shkollës së mesme me kohë;
▪ Në moshën e mesme: hipertensioni, obeziteti, humbja e të dëgjuarit;
▪ Në moshën e shtyrë: duhanpirja, depresioni, joaktiviteti fizik, izolimi social, diabeti.

Në mesin e faktorëve të studiuar, humbja e të dëgjuarit dhe izolimi social janë përfshirë për të parën herë në vlerësim. Ndikimi individual i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm.

Pas shpërndarjes së veçuar të ndikimit të secilit faktor, është parë se humbja e të dëgjuarit kontribuon me 9% në zhvillimin e demencës.

Një kontribues domethënës në paraqitjen e demencës është edhe edukimi formal në moshën e re, kështu që personat me shkollim sekondar të pakompletuar janë në rrezik dyfish më të madh nga demenca.

Një tjetër çështje që ngjall kureshtje është dygjuhësia apo aftësia e një personi për të komunikuar rrjedhshëm në dy apo më tepër gjuhë. Sipas studimit në fjalë, kjo nuk është paraqitur si faktor mbrojtës, gjë që bie ndesh me raportimet e mëhershme.

Mirëpo, sipas studiuesve, niveli i arsimimit dhe njohja e shumë gjuhëve janë dukuri që shkojnë pak a shumë paralelisht me njëri-tjetrin.

Prandaj, sa më i arsimuar të jetë një person, aq më i madh është efekti mbrojtës nga demenca. Rrjedhimisht, edhe njohja dhe komunikimi në shumë gjuhë.

Duhet pasur parasysh që në këtë studim nuk janë përfshirë disa faktorë të mirënjohur, si ushqimi, alkooli, çrregullimet e të parit, ndotja e mjedisit dhe gjumi.

Po të ishin vlerësuar, efekti i stilit jetësor me gjasë do të ishte më i madh se 30-35% në parandalimin apo zbutjen e demencës. /Telegrafi/

Exit mobile version