Telegrafi

Stërvitja e forcës për sportistë të rinj

Sportistët e rinj duhet patjetër të jenë të kujdesshëm me rastin e stërvitjes së forcës.

Idriz Humolli
Ekspert i Bodibildingut
“Fitness Gym Prishtina”
tel. 045 275 757

Stërvitja e forcës për sportistë të rinj po bëhet gjithnjë e më e popullarizuar, sepse prindërit, trajnerët dhe ekspertët e mjekësisë sportive kanë kuptuar që dobi nga një stërvitje e tillë mund të kenë madje edhe fëmijët 5 dhe 6 vjeç.

Pos përmirësimit të rezultateve sportive dhe pengimit të lëndimeve, aplikimi i stërvitjeve të forcës mund të shprehet pozitivisht edhe në shëndetin e sportistëve të rinj.

Stërvitja e sigurt e forcës për sportist të rinj
Është shumë me rëndësi që stërvitjet e forcës të jenë të sigurta për secilin sportist të ri. Lëndimet, në rend të parë, shkaktohen si pasojë e zbatimit jo të drejtë të stërvitjes, asistimit joprofesional apo fatkeqësive të rastit.

Masat e tilla janë:

1. Teknika e drejtë e punës me peshat
Rëndësi jashtëzakonisht të madhe ka aftësia e trajnerit që fëmijët dhe adoleshentët t’i mësojë drejt t’i bëjnë ushtrimet kur i përdorin peshat.

2. Asistimi i drejtë
Për t’u bërë stërvitja me sukses dhe e sigurt, është e obligueshme njohja e ushtrimeve, si edhe e rregullave të asistimit. Asistimi ka të bëjë me një apo më shumë persona që, sipas nevojës, i ndihmon stërvitësit që të bëjë përsëritjet në tërësi, por edhe t’i tregojë edhe se si t’i korrigjojë lëvizjet e parregullta gjatë stërvitjeve, andaj rëndësia e tyre për sigurinë në stërvitje të forcës është shumë e madhe.

3. Rregullimi i drejtë i pajisjes
Nëse të rinjtë nuk vendosen drejt në veglën e stërvitjes, mund të shkaktohen probleme të shumta, duke përfshirë perimetrin e plotë të lëvizjes për stërvitje, ndërkaq ngarkesat e papërshtatshme shkaktojnë lëndime akute apo lëndime për shkak të ngarkesës së madhe.

4. Teknika e drejtë e frymëmarrjes
Është me rëndësi që ajri, me rastin e ngritjes së peshave, të mos mbahet në mushkëri, sepse ashtu ngrihet shtypja e gjakut dhe ulet arritja e gjakut në tru. Pasoja e gjithë kësaj mund të jetë marramendja apo humbja e vetëdijes e cila pastaj shkakton lëndimin.

Si të fillohet?

Për të qenë e sigurt dhe e dobishme stërvitja me ngarkesa për të rinjtë, është me rëndësi të kuptohen rregullat e përcaktuara të stërvitjes dhe të vlerësohet pjekuria fizike dhe emocionale e të rinjve.

Edhe pse nuk është përcaktuar mosha minimale në të cilën fëmija mund të fillojë të ushtrojë me ngarkesa, ai patjetër duhet të jetë psikikisht dhe emocionalisht i pjekur që të mund t’i kuptojë instruksionet e trajnerit dhe të përballojë stërvitjen. /Telegrafi/