Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci gjatë një debati për projektin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” tha se mosfurnizimi i rregullt me energji elektrike ka shkaktuar dëme rreth 300 milionë euro. Po ashtu sipas tij, mosfurnizimi i rregullt me rrymë sjell edhe tani pengesa për bizneset.
“Gjatë negocimit të kushteve kemi pasur dy synime, që të sigurohet furnizimi i rregullt me energji eklektike si dhe përballushmëria e faturave”, tha Stavileci.
Sipas tij, Termocentrali “Kosova e Re” do të jetë zgjidhje shumëvjeçare e furnizimit me energji eklektike.
Ai ka bërë të ditur se pas përmbylljes së pakos tenderues, kontrata për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” pritet të fillojë vitin e ardhshme, derisa faza e ndërtimit do të zgjasë deri në katër vite.
“’Kosova e Re’ pritet të jetë pjesë e sistemit energjetik, më 2022, pra nga ky vit do të fillojë të prodhojë energji elektrike”, ka bërë të ditur Stavileci.
Ai ka treguar se teknologjia për prodhimin energjisë elektrike nga “Kosova e Re” do të jetë ajo e fundit, me ndotje minimale të ambientit.
Ministri Blerand Stavileci, ka thënë se synimi i zgjedhjeve për mjedisin kanë qenë që të jenë sa më të qëndrueshme. “Në qershor do ta kemi një takim të ministrave të energjisë dhe mjedisit që t’i trajtojmë edhe çështjet e ambientit. Të gjitha zgjidhjet që do të ofrohen do të jenë sipas standardeve më të larta mjedisore”, tha ai.
Ai ka folur edhe për ndikimet që do t’i ketë ndërtimi i “Kosovës së Re” në faturat e konsumatorëve.
Edhe po të mos ekzistonte projekti i “Kosovës së Re”, sipas Stavilecit, investimet që bëhen ne sektor do të ndikonin në kostot e energjisë. “Brenda 6 viteve do të ketë një rritje 28 %, që i bie 4.6% për çdo vit rritje të çmimit të rrymës, por që mund të amortizohet”, tha ai.
Sipas tij, qeveria e Kosovës subvencionon faturat e rasteve sociale me 4.6 milionë euro në vit.
Projekti i Termocentralit “Kosova e Re” do të ketë ndikime edhe ne punësim, si gjatë periudhës së ndërtimit, e po ashtu edhe ne periudhën e operimit.
“Profilet e kërkuara do të jetë ato të inxhinierëve të profileve të ndryshëm, po ashtu edhe të saldatorëve të ndryshme. Po ashtu do të punësohet edhe studentët”, tha ai.
Sipas tij, do të ketë edhe trajnime. “Do të ketë hapësirë të mjaftueshme për shumë njerëz po ashtu do të insistojmë që edhe sa më shumë kompanitë vendore të angazhohen në ndërtim”, ka thënë ministri Stavileci.
Ndërkaq, ndërtimi i këtij termocentrali do të ketë edhe ndikime në komunitet, për ketë ai ka thënë se fondi për komunitetit do të jenë 10 milionë euro për shtatë vitet e ardhshme.
“Do të realizohen projekte të ndrysje kulturore, sportive, arsimore të cilat do ta përmirësojnë standardin jetesë”, ka treguar Stavileci.
Nga java e ardhshme kreu i MZHE-së ka thënë se do të shohim gjëra konkrete sa i përket “Kosovës së Re”. Sipas tij, letra e Bankës Botërore, nuk e rrezikon ndërtimin e termocentralit të ri.
Ministri ka thënë se edhe çështja e zhvendosjes së banorëve do të behet duke diskutuar së bashku me ta. Por mbi të gjitha sipas tij, duhet të jetë interesi shtetërorë. “’Kosova e Re’, ‘Kosova B’, mihja e re, janë projekte të lidhura njëra me tjetrën dhe nuk mund të funksionojnë pa njëra tjetër”, tha ai.
Ndërkaq, sipas tij, fati i Termocentralit “Kosova A” është i ndërlidhur me ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. /Telegrafi/