Telegrafi

Statistika interesante nga përdorimi i internetit në Kosovë

Në Kosovë ka për rreth 1.1 milion përdorues të internetit. Kjo shifër është ndër më të lartat në regjion dhe mund të krahasohet gjithashtu edhe me vendet e zhvilluara si Zvicra, Gjermania, Britania e Madhe, etj.

Më shumë përdorues të internetit në zonat rurale

Një fakt tjetër interesant është se në zonat rurale përdorimi i internetit është më i lartë në krahasim me zonat urbane. Në zonat rurale përdorimi i internetit është 77.7 për qind kurse në zonat urbane 75 për qind.

Një nga arsyet e përdorimit të lartë të internetit në zona rurale është nevoja për të komunikuar me familjarë të cilët gjinden në diasporë. Të dhënat në vazhdim mbështesin edhe më shumë argumentin e cekur më lartë:
80 për qind të përdoruesve e perdorin internetin për të komunikuar me familjarët që janë në diasporë dhe me miq.
65 për qind të përdoruesve e përdorin aplikacionin Skype.

Në krahasim me komunikimin përmes telefonave fiks, interneti e ka bërë komunikimin shumë më të lirë dhe më të përshtatshëm. Pos komunikimit me zë, benefitet tjera nga interneti janë gjithashtu edhe shkëmbimi i fotove, videove etj.

Për sa i përket shërbimeve të internetit, më të përdorurat nga punonjësit janë emaili, LinkedIn, ueb faqe të reja, ueb faqe për kërkim dhe studim, etj. Në anën tjetër, shërbime të preferuara nga të papunësuarit janë Facebook, Instagram, Twitter, filma dhe muzika online, etj.

55 për qind të përdoruesve të pajisjeve mobile, qasen në internet nga telefonat e tyre të mençur. Në Kosovë ka mbi 600 mijë përdorues të telefonave të mençur ku 48 për qind prej tyre janë të papunësuar.

Një statistikë interesante: bazuar në raportin e cekur më lartë, në komunitetin online, femrat në Kosovë studiojnë më shumë dhe janë më kureshtare për nga personaliteti:
Kur është fjala për studim dhe hulumtim , 60 për qind të femrave e përdorin internetin për këtë qëllim. Kurse 55 për qind të femrave e shfletojnë internetin nga kureshtja ne raport me 45 për qind me meshkujt./Digjitale/