Site icon Telegrafi

Starton Bundesliga, të gjithë në ndjekje të Bayernit

Kampionët janë kundërshtari për t’u mundur, ekipi për t’u rrëzuar nga froni pasi në të kundërt bavarezët do të vendosin rekordin historik me 4 tituj radhazi në Bundesligë. Edhe këtë sezon gjigandët bavarezë janë favoriti kryesor, teksa në unison të gjithë trajnerët e skuadrave në Bundesligë i shohin ata si favoritë, edhe pse premtojnë se do të ketë surpriza. Për Guardiolën ky sezon paraqet një sfidë të vërtetë, pasi ka detyrën të synojë përsëritjen e suksesit të vitit 2013, me fitimin e tripletës. Blerjet e Arturo Vidal dhe Douglas Costa i kanë bërë më kompetitivë kampionët, të cilët kanë shtuar konkurrencën në skuadër. Afrime kanë bërë dhe skuadrat e tjera, por më e rëndësishmja për rivalët është se kanë ruajtur yjet e tyre. Zakoni e do që siparin e sezonit në Gjermani ta ngrejnë kampionët, me Bayernin që do të presë në Allianz Arena Hamburgun.

Armata e Pep Guardiolës e nisi sezoni me humbjen në Superkupën e Gjermanisë ndaj Wolfsburgut, por kualifikimi javën e kaluar në Kupën e Gjermanisë qetësoi shpirtrat bavarezë. Përballë tyre do të jetë i vetmi ekip i Bundesligës që surprizoi me eliminimin nga Kupa Hamburgu, që mbi të gjitha ka një ecuri negative me 13 ndeshje radhazi pa fitore ndaj Bayernit, ku janë regjistruar 3 barazime dhe 10 suksese kuqeblu. Kjo e së premtes është sfida numër 250 e Bayernit në Allianz Arena, teksa ndaj Hamburgut ka kujtime të mira dhe të këqija.

Fitoren më të thellë përpara publikut të tyre bavarezët e kanë regjistruar pikërisht ndaj Hamburgut, 8-0 në shkurtin e këtij viti. Por Hamburgu është gjithashtu skuadra e para që i ka mposhtur në shtëpi në kampionat bavarezët, 2-1 në Marsin e 2006. Suksesi në turneun miqësor të Audi Cup por edhe dështimi në Superkupën e Gjermanisë janë një kapitull i mbyllur. Bayerni është skuadra për t’u mundur, dhe të parët që do të tentojnë surprizën janë djemtë e Bruno Labadias që mbijetuan edicionin e shkuar falë fitores në transfertë në sfidën Play Off ndaj Karlsruhes. /Supersport/

Exit mobile version