Ditët e fundit vendi u përfshi në një debat për cilësinë e prodhimeve vendore dhe kontrollin e produkteve të importuara, ndërsa shumë njerëz të shqetësuar u rikujtuan sesa pak flitet në Kosovë në lidhje me cilësinë e prodhimeve të konsumit të gjerë në theks të veçantë produkteve ushqimore. Në fakt, ne jemi ajo çfarë hamë, thotë një proverb i lashtë kinez. Dhe kjo kurrë nuk ka qenë më aktuale se sot.
Përballë një superprodhimi botëror, një rrjeti shpërndarës global mjaft agresiv, një marketingu të fortë dhe efektiv që përdor çdo mjet dhe shumëfishon presionin mbi blerësit në çdo hallkë, për qytetarin është e vështirë të orientohet në tregun e produkteve ushqimore, kryesisht të dominuar me produkte importi dhe mase e vështirë të përcaktohet për produktet që do konsumojnë. Ndërkaq prodhimet vendore ende janë të pakta dhe të pamjaftueshme për t’ju përgjigjur kërkesave në rritje të konsumatorëve, të cilit sot nuk mjaftohen dot vetëm me shijen e mirë, por kërkon parametra të vërtetë ushqimorë, që garantojnë shëndet dhe vlera natyrore të sigurta. Mediat janë ndërkaq më të ndjeshme ndaj këtyre çështjeve, duke vlerësuar se vëmendja e publikut ndaj cilësisë së ushqimit është më e lartë dhe më e mprehtë se kurrë më parë.
Cilësia e produkteve të importit, marketingu i sofistikuar dhe çmimet konkurruese të një ekonomie globale gjithsesi përbëjnë një sfidë të rëndësishme që prodhuesit vendor duhet të përballojnë dhe për këtë atyre më shumë se lënda e parë e besueshme apo teknologji paketimi moderne dhe të mirënjohura, ju duhen njohuri mbi standardet që duhet të arrijnë ata të cilët ende nuk i kanë adoptuar dhe ti mirëmbajnë ata që tashmë i kanë aplikuar.
Në fakt, çdo Kosovar që ende blen ushqime në një treg të hapur natyror do të habitej po të mësonte se ligjet mbi ushqimin mund të gjurmohen qysh në kohë të lashta. Rregullave më të hershme të ushqimit u bëhet referim në letërsinë egjiptiane, kineze, hindu, greke dhe romake. Në Mesjetë, gildet tregtare shfaqën një ndikim të fuqishëm në rregullimin e tregtisë së ushqimit dhe në parandalimin e falsifikimit të produkteve ushqimorë. Më vonë, iniciativa në kontrollin ushqimor u mor përsipër nga shteti, bashkitë apo autoritete të tjera vendore.
Ndryshimet e mëdha në prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore që përndoqën industrializimin dhe popullimin urban, tok me problemet e shëndetit publik, sollën si pasojë miratimin e shumë ligjeve mbi sigurinë e ushqimit në vendet e industrializuara gjatë pjesës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Konsolidimin kryesor legjislacioni ushqimor në Evropë e njohu në fund të shek. të 19 dhe shekullit të 20.
Pjesa më e madhe e standardeve kombëtare mbi ushqimin dhe organizatave që i mbronin ato u vendosën në Evropë në vitet 1920. Kjo stimuloi edhe nxiti bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar. Pas Luftës se Dytë Botërore, aktiviteti në standardizimin nisi intensivisht në kuadër të organizatës ndërkombëtare të standardeve (njohur si ISO). Një Program i Përbashkët mbi Standardet e Ushqimit FAO/WHO u përcaktua në vitin 1962. Në këtë kohë u themelua Komisioni i Kodit Ushqimor (Codex Alimentarius Commission (CAC). Prej asaj kohe prirja kryesore në këtë drejtim ka qenë harmonizimi i standardeve në nivel ndërkombëtar. E parë në këtë dritë historike, kuptohet se vonesat e Kosovës në këtë fushë janë më se të dukshme.
Për këtë shkak, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përmes programit BAS ka bërë një përpjekje serioze në këtë drejtim për t’ju përgjigjur nevojave, por edhe për të pararendur prirjet e zhvillimit të sektorit agro-përpunues dhe gjithë industrisë ushqimore në vend. Drejtori i EBRD BAS Programit, shpjegon se që nga mesi i vitit 2005 Programi BAS ka mbështetur mbi dyzet (40) ndërmarrje Kosovare në ngritjen, adoptimin dhe implementimin e standardeve të ndryshme të cilësisë. Nga këto ndërmarrje, tetë (8) prej tyre janë nga gjitha sektorët e agro-përpunimit dhe ato tashmë kanë ngritur, adoptuar dhe implementuar standardet ndërkombëtare të cilësisë dhe janë certifikuar me standardet si; ISO 9001:2000, ISO 22000:2005 dhe sipas parimeve të HACCP nga trupa ndërkombëtare certifikuese si SGS, Bureau Veritas, TUV, etj. Drejtori i Programit mbetet i bindur se kontributi i dhënë nga programi në ngritjen e kapaciteteve profesionale vendore ka kontribuar drejtpërsëdrejti në rritjen e sensibilizimit të ndërmarrësve Kosovar për adoptimin e standardeve ndërkombëtare të cilësisë si dhe rritjen e konkurrencës në mesin e konsulentëve që nënkupton edhe uljen e drejtpërdrejt të kostos së implementimit për NVM-të Kosovare.
Në vazhdim autori, mendon se zhvillimi i një tregu konkurrues, të shëndosh dhe të aftë të konsulencës do vazhdoj kontributin në shkurtimin e kohës së nevojshme por edhe kostove të ndërlidhura me ri-adoptimin teknologjik të prodhimit nga ana e ndërmarrjeve Kosovare të agro-përpunimit, për të përmbushur në tërësi standardet ushqimore dhe për të konkurruar denjësisht në tregun vendas dhe atë rajonal por edhe në tregjet evropiane.
Në këtë vizion, autoritetet Kosovare përgjegjëse për zhvillimin sektorit të ushqimit kanë gjithashtu një rol të rëndësishëm për të luajtur në orientimin e politikave të investimeve të reja që pritet të ndërmerren në këtë sektor, falë edhe faktit dhe imazhit që gëzon Kosova si vend me potencial bujqësor të standardit Bio, në pjesën më të madhe të territorit si dhe avancimit të theksuar të vendit në drejtim të ndërtimit të një ekonomie të hapur, liberale e cila karakterizohet me ndërmarrës të guximshëm dhe inovativ në rrafshin individual. Vetëm kështu, mendon autori veprohet konkretisht në shkurtimin e distancës që na ndan me ekonomitë e zhvilluara dhe të fitojmë kohën e humbur.
/Autori është Drejtor Nacional për Kosovë i Programit për Shërbimet Këshilluese për Biznese (BAS) program ky i menaxhuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)/