Telegrafi

Stafi i Gjermanisë qorton Mats Hummelsin pasi kërceu nga ballkoni në pishinë (Video)

Mats Hummels është qortuar nga menaxhmenti i përfaqësueses së Gjermanisë pasi e ka publikuar një video duke kërcyer nga një ballkon në një pishinë, vetëm pak ditë para ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror, ‘Rusia 2018’.

Mbrojtësi gjerman e ka shfrytëzuar profilin e tij në Instagram për t’u treguar të gjithëve për veprimin e tij të rrezikshëm.

“Duket shumë më spektakolare saqë është në të vërtetë”, ka shkruar Hummels në përshkrimin e videos duke ia bashkuar hashtagun “Mos e provoni këtë në shtëpi”.

Lexo po ashtu Gjest i madh nga Hummels, ndanë një pjesë të pagës për bamirësi

Edhe pse 28-vjeçari ka kërcyer në këmbë, fansat e kanë këshilluar të ketë më shumë kujdes, ndërsa stafit të kombëtares gjermane nuk i ka bërë aspak përshtypje.

“Do të ishte më keq po të kishte kërcyer në kokë”, ka thënë menaxheri ekipor i Gjermanisë, Oliver Bierhoff.

“Ne nuk jemi policë të rrjeteve sociale, por do ta qartësojmë se ai duhet të jetë një shembull. Mats është duke reflektuar për këtë gjë dhe unë nuk do të dëshiroja të merrem shumë me këtë çështje”, ka shtuar ai.

Gjermania i ka fituar të gjitha gjashtë ndeshjet e deritanishme kualifikuese dhe do të kualifikohet në Kampionatin Botëror nëse e mposht Republikën Çeke në Pragë ditën e premte. /Telegrafi/