Telegrafi

Stadiumi i ri i Tottenhamit hap dyert – një miliard funte investim

Pas më shumë se tre vitesh pritje, tifozët e Tottenhem Hotspur sot (e mërkurë) janë futur në stadiumin e ri të klubit. 

Stadiumi i ri skuadrës londineze ka kushtuar mbi një miliard funte (1.17 miliard euro) dhe ka një kapacitet prej 62.062 vendesh.

Një nga veçoritë më të mëdha të këtij stadiumi është tribuna pas portave, e cila nuk është e ndarë në kate dhe mund të mbajë 17.000 tifozë.

Fusha është e vendosur në një platformë të lëvizshme e cila e largon tapetin  gjelbër në raste koncertesh dhe ndeshjesh të “NFL” (futboll amerikan).

Fansat do të jenë ngjitur me fushën, pasi distanca nga ulëset e rreshtit të parë është vetëm 7.9 metra.

Ndërkohë, nëpër stadium do të jenë të montuar katër ekran gjigantë.

Risitë ka dhe jashtë tribunave pasi stadiumi do të ketë një bar gjigant me një banak me gjatësi 65 metra, për t’i shërbyer të gjithë fansave që kanë dëshirë të shijojnë ndeshjen me një gotë birrë ose pije të ndryshme freskuese.

Gjithashtu në ambientet e stadiumit ndodhet një hotel dhe një muze me trofetë e klubit londinez. /Telegrafi/