Sot për vizitë në Gjakovë ka qëndruar presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka takuar kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
Gjatë kësaj vizite Ademi ka bërë të ditur se në vitin 2026, Stadiumi i Qytetit në Gjakovë do ta mirëpres ndeshjen e parë të Kosovës në Futboll.
“Ky projekt fantastik është një stadium i kategorisë së katërt të UEFA-së dhe do të mundësojë zhvillimin e ndeshjeve të Kombëtares sonë A.
Në vitin 2026, Kombëtarja jonë do të zhvillojë ndeshjen e parë në këtë stadium, qoftë ajo miqësore apo zyrtare. E përgëzoj kryetarin Ardian Gjini për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në fillimin dhe realizimin e këtij projekti madhor”, ka shkuar Ademi.
Pas takimit të përbashkët Gjini dhe Ademi vizituan edhe Stadiumin e Qytetit të Gjakovës, për të parë nga afër edhe punimet qe aktualisht po zhvillohen në këtë stadium, projekt ky që fillimisht nisi me buxhetin komunal, e që tashmë po përkrahet edhe nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Stadiumi i Qytetit të Gjakovës ka një kapacitet prej 14 mijë e 500 ulëse dhe do të jetë një stadium i kategorisë së katërt të UEFA-s.
Kryetari Gjini dhe kreu i FFK-së Ademi gjithashtu u akorduan për vazhdimin e më tejmë të bashkëpunimit në mes të komunës së Gjakovës dhe të FFK-së, për ndërtimin edhe të një fushe ndihmëse si dhe në riparimin e fushës ekzistuese në Shkugëz, që do të jenë ndihmesë e madhe për aktivitetet sportive që zhvillohen në qytetin e Gjakovës.
Këto fusha do të jenë në dispozicion të klubeve gjakovare të futbollit, por edhe të shkollave të shumta të futbollit në qytetin e Gjakovës. /Telegrafi/