Telegrafi

Sporti i domosdoshëm për fëmijët

Fëmijët nuk mund të merren me sport si pasojë e mungesës së fushave përkatëse për t’u marrë me sport, mungesës së pishinave për notim, apo për arsye se prindërit nuk ua paguajnë lokacionet e pakta private të cilat ofrojnë aktivitete të ndryshme të sportit.

Edhe ata fëmijë të cilët ushtrojnë ballafaqohen me terrene të papërshtatshme, me presione të shumta nga trajnerët dhe prindërit e tyre, derisa ekspertët rekomandojnë që prindërit dhe trajnerët të jenë në krah të fëmijëve, pasi fëmijët presin mbështetjen e tyre.

Trajnerët nëpër shkolla ose nëpër ushtrimore private duhet të punojnë me gjithë fëmijët dhe jo vetëm me ata të talentuarit, sepse sporti nuk duhet bazuar në komercializëm por në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të fëmijëve.

Terrenet sportive duhet të kontrollohen nga organet përkatëse me qëllim që të ofrojnë kushte të cilat do t’i tërheqin më shumë fëmijët, dhe njëkohësisht duhet t’i plotësojnë kriteret bazë për të realizuar një sport të shëndetshëm dhe të jenë një vend i sigurt për fëmijët.

Sporti është njëra nga format parandaluese të sjelljes negative të fëmijës. Nëse fëmijët merren me ndonjë aktivitet, atëherë do t’i përkushtohen atij dhe nuk do të mendojnë për gjëra tjera, kështu, që në fëmijëri do të krijohet një bazë për të bërë vetëm gjëra pozitive.