Ambasada e Japonisë në Kosovë sot ka mbajtur ceremoninë e dhurimit të një aparati endoskopik dhe akesorët e nevojshëm në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Përmës një njoftimi, Ambasada e Japonisë në Kosovë thekson se projekti synon përmirësimin e shërbimeve mjekësore të ofruara nga Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit.
“Përfituesit e pritshëm janë rreth 1200 pacientë në vit. Vlera totale e projektit është gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e dhjetë euro (66,710 euro)”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit, i ngarkuari me punë të ambasadës Keysuke Yamanaka, theksoi se shëndetësia është një nga fushat kryesore të ndihmës zhvillimore të Japonisë për Kosovën për t’iu përgjigjur nevojave themelore, por thelbësore të njerëzve në jetën e tyre të përditshme.
Ai pohoi se Ambasada e Japonisë do të vazhdojë të punojë së bashku me vendasit homologët për të forcuar më tej marrëdhëniet e ngushta dhe miqësinë e dy kombeve tona.
Ndryshe, në ceremoni morën pjesë z. Keisuke YAMANAKA, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, z. Arsim EMINI, Drejtor Ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, znj. Narqize ARENLIU-HOXHAJ, Drejtoreshë Ekzekutive e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, znj. Dafina GEXHA BUNJAKU zëvendësministre e Ministrisë së Shëndetësisë dhe stafi i spitaleve përkatëse. /Telegrafi/