Site icon Telegrafi

Spitali Amerikan i shpëton jetën 29 vjeçarit nga Peja – falë një terapie shumë specifike!

Pacienti në fjalë ishte diagnostikuar me sëmundjen Tromboemboli Pulmonare, mbyllja e arterieve pulmonale (mushkërive).

Kirurgu vaskular Dr.Valbon Gashi, për gjendjen në të cilën ishte pranuar pacienti thotë se ka qenë tejet e vështirë dhe pothuajse e pamundur që t’i shpëtojë vdekjes.

Familjarët e pacientit e kishin kuptuar seriozitetin e gjendjes tepër të rëndë dhe ranë dakord që të bëhet gjithçka që është e mundur në mënyrë që të shpëtohet jeta e pacientit.

Pas konsultave në mënyrë konziliare me stafin mjekësor, Dr. Valboni vendosi që të aplikojë një terapi Plazminogen Aktivator për zbërthimin e trombeve të cilat ja kishin kapluar mushkëritë. Por, ajo terapi, po ashtu është e rrezikshme për shkak të provokimit të gjakderdhjes.

Kjo terapi është përdorur për herë të parë në rajon në Spitalin Amerikan Prishtinë me sukses të plotë.

Pacienti tashmë është në gjendje të përgjithshme shëndetësore shumë të mirë, ai ka lënë spitalin pas shtatë ditë qëndrimi dhe vazhdon të jetojë një jetë normale.

Por çfarë është Embolia Pulmonare?

Embolia pulmonare është mbyllje e menjëhershme, e plotë apo e pjesshme e arterieve pulmonale (mushkërive) e shkaktuar më së shpeshti nga koagulimi (mpiksja) e gjakut. Ka raste kur mbylljen e arterieve e bëjnë edhe ajri, yndyrat e liruara nga kockat mbas lëndimeve si dhe trombet e infektuara.

Në raste të shpeshta nëse koagulimi është i madh, ai e ndërpret rrjedhën e gjakut në mushkëri dhe mund të jetë fatal, vdekjeprurës dhe trajtimi i menjëhershëm i tij është shpëtimtar për pacientin.

Në gati 80% të rasteve, koagulimet janë të vogla dhe mbyllja e arterieve dhe degëve të saj është më e vogël, mirëpo nëse nuk trajtohet në kohën e duhur atëherë koagulimet do të rriten dhe përfundimi është fatal.

Rreth 70% e rasteve të embolive pulmonare prejardhjen e kanë prej trombozave të venave të thella të ekstremiteteve të poshtme.

Nëse shërimi nuk ka qenë i mjaftueshëm për shkaqe të ndryshme atëherë gjasat e rikthimit të embolisë në vitin e parë janë 11%, mbas vitit të tretë 20%, mbas pesë viteve 29% dhe 40% mbas dhjetë viteve.

Për këtë arsye trajtimi i menjëhershëm dhe adekuat është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e pacientit.

Cilët janë faktorët e rrezikut?

Faktorët e rrezikut janë të lidhur me faktorët që shkaktojnë trombozat e venave të thella si:

• Historia familjare positive, që do të thotë se në familje dikush ka pasur probleme me mpiksjen apo koagulimin e gjakut.

• Inaktiviteti i gjatë mbas kirurgjive të ndryshme, pra mos lëvizja nga shtrati ose ndonjë sëmundje e rëndë që je i lidhur për shtrati.

• Udhëtimet ajrore dhe udhëtimet e tjera me orë të zgjatura.

• Disa sëmundje siç janë: kanceri, pamjaftushmëria e zemrës, insulti cerebrovascular(pika në tru) si dhe infeksionet e rënda.

• Venat Varikoze të ekstremiteteve të poshtme

• Shtatzënia dhe lindjet, veçanërisht prerjet Cezariane

• Kontraceptivët oral

• Gjendja postmenopauzale, terapia zëvendësuese hormonale

• Obeziteti,sindroma metabolike

• Duhani

Simptomat:

 Bllokim frymëmarrje, dhimbje e fortë therëse në kraharor e papritur e përkeqësuar mbas frymëmarrjes së thellë apo kollitjes

 Djersitja dhe frika

 Kollitje me gjak

 Të rrahurat e shpeshta të zemrës

 Shoku

Vlen të theksohet se shumica e simptomave nuk lajmërohen dhe për këtë arsye është shumë vështirë të diagnostifikohet (zbulohet) me kohë.

Nuk duhet nënçmuar sëmundja, pasi që është më e shpeshtë se që përmendet në literaturë. Përvoja dhe diagnostika e mirëfilltë moderne mund ta zbulojë shumë herët këtë sëmundje tinzare.

Trajtimi:

Trajtimi i embolisë pulmonare fillohet me terapi antikoagulante dhe përqendrohet në ndërprerjen e formimit të koagulimeve (trombeve) të mëdha dhe izolimin e trombeve që janë formuar më herët.

Trajtimi po ashtu varet edhe nga simptomatika e sëmundjes. Nëse ajo është me simptome të rënda atëherë trajtimi është më agresiv, me substancat trombolitike (fibrinolitike) të cilat e zbërthejnë trombin në njërën anë por në anën tjetër janë të rrezikshëm dhe mund të shkaktojnë gjakderdhje.

Po ashtu mund të intervenohet në mënyrë kirurgjike në formë të embolektomis respektivisht heqja e trombit në arteriet pulmonale.

Ka edhe disa raste kur pacienti ka ndjeshmëri apo alergji ndaj terapisë antikoagulante dhe trombolitikëve.

Kjo ndodh nëse trombi (koagulimi) e ka prejardhjen nga venat e thella të ekstremiteteve të poshtme (këmbëve), atëherë vendoset KAVA filteri i cili i ndalë trombet të cilat shkëputën dhe rrjedhin nga zemra dhe mushkëritë.

Kohëve të fundit, në botën perëndimore përdoren aparatura speciale të cilat e kanë aftësinë ta zbërthejnë trombin dhe ta tërheqin në formë të thithëse.

Exit mobile version