Telegrafi

Spanja rikthehet nga disavantazhi për ta mposhtur Anglinë

Angli, Spanjë (Foto: Twitter/Seleccion Espanola de Futbol)

Me rezultat 2-1, Spanja ka fituar kundër Anglisë në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve, duke u kthyer nga disavantazhi prej një goli.

Pas një kundërsulmi të shpejtë, Tre Luanët e zhbllokuan rezultatin. Aksioni u përmbyll me golin e Marcus Rashford (11′), i cili u asistua nga Luke Shaw.

Mirëpo, vetëm dy minuta zgjati epërsia e anglezëve. Rodrigo ktheu një top të mirë te Saul Niguez, i cili e dërgoi në rrjetë (13′).

Përmbysja erdhi në minutën e 32-të. Një top të ardhur nga gjuajta e lirë, Rodrigo e futi me lehtësi në portën kundërshtare.

Në gjysmën e dytë, Anglia bëri përpjekje për t’i ndryshuar gjërat, mirëpo nuk e gjente golin e barazimit.

Kur po afroheshin minutat e fundit, Tre Luanët bënë presion të madh, mirëpo mungonte rasti konkret për të shënuar.

Edhe pse gjyqtari i dha nëntë minuta shtesë, nuk pati gol tjetër, ashtu që pas fishkëllimës së fundit, ishte Spanja skuadra fituese.

Në fakt, anglezët e dërguan topin në rrjetë përmes Danny Welbeck, por goli u anulua për ndërhyrje të palejuar në portierin. /Telegrafi/