Telegrafi

Spanja mposht me vështirësi Zvicrën

Kombëtarja e Spanjës ka fituar me rezultat minimal 1-0 ndaj Zvicrës në ndeshjen e vlefshme për Grupin 4 të Ligës A në Ligën e Kombeve.

Djelmoshat e Luis Enriques kanë marrë edhe fitoren e dytë radhazi në grup, duke mposhtur Zvicrën, pas Ukrainës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, por me Spanjën për një nuancë më të mirë, duke gjetur edhe golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 14-të dhe ishte Mikel Oyarzabal, i cili shënoi për 1-0 pas një gabimi të portierit zviceran dhe Granit Xhakës.

Në pjesën e dytë, kombëtarja La Roja ishte dukshëm më e mirë, duke menaxhuar lojën dhe duke krijuar më shumë raste.

Megjithatë, asnjëra skuadër nuk arriti ta gjej golin dhe ndeshja përfundoi me rezultatin e pjesës së parë 1-0.

Nga minuta e 60-të u inkuadrua në lojë edhe Xherdan Shaqiri në vend të Admir Mehmedit, por pa arritur të lë gjurmë.

Me këtë fitore, Spanja e sheh veten në pozitën e parë të grupit me shtatë pikë, ndërsa Zvicra renditet e fundit me vetëm një pikë.

Në ndeshjen e radhës, iberikët udhëtojnë te Ukraina, ndërsa helvetikët udhëtojnë te Gjermania. /Telegrafi/