Telegrafi

Spanja e mposht Gjermaninë për ta fituar Kampionatin Evropian për moshat U-21

Spanja U-21 v Gjermania U-21 (Foto: Alessandro Sabattini/Getty Images/Guliver)

Kombëtarja e Spanjës e ka fituar Kampionatin Evropian për moshat nën 21 vjeç. Të rinjtë e ‘Furisë së Kuqe’ e kanë mposhtur Gjermaninë U-21 (2-1), për ta fituar kështu titullin e kampionit evropian për grupmoshat e reja.

Golin e parë për spanjollët e shënoi Fabian Ruiz me një goditje të bukur nga distanca në minutën e shtatë. E që ishte goli i vetëm në pjesën e parë.

Spanja e dominoi edhe pjesën e dytë, derisa për golin e dytë u përkujdes Dani Olmos (69’), i cili realizoi nga gabimi i portierit të Gjermanisë, Alexander Nubel.

‘Die Mannschaft’ u munduan deri në fund që ta barazonin rezultatin, por ajo që arritën të bënin më shumë ishte ta shënonin golin e nderit (2-1) me anë të Nadiem Amirit në minutën e 88-të.

Përballja që u zhvillua në Dacia Arena të Udineses, përfundoi 2-1 në të mirë të Spanjës U-21, ndërsa Gjermania ishte deri sonte kampion në fuqi, pasi e kishin fituar trofeun në vitin 2017. /Telegrafi/