Site icon Telegrafi

Spanja e kujdesshme ndaj Maqedonisë, gjashtë lojtarë rrezikojnë të humbasin takimin ndaj Italisë në rast se ndëshkohen

Ndeshja me Italinë do të jetë në 2 shtator, por te Spanja po bien sirenat e alarmit. Gjashtë prej futbollistëve më të rëndësishëm të saj rrezikojnë të humbasin këtë përballje të rëndësishme me “të kaltrit” për shkak kartonësh.

Behet fjalë pikërisht për Sergio Busquets, Diego Costa, Gerard Pique, Sergio Ramos , Thiago Alcantara dhe Vitolo. Këtë të diel “La Roja” do të luajë ndaj Maqedonisë dhe nëse këta futbollistë do të ndëshkohen me karton të verdhë atëherë do të mbeten jashtë sfidës së 2 shtatorit.

Spanja ndodhet në Grupin G të Eliminatoreve të Botërorit 2018, ku është edhe kombëtarja shqiptare. Pas 5 ndeshjeve, iberikët e shohin veten në krye së bashku me Italinë në kuotë të barabartë pikësh, 13 që do të thotë se sfida mes tyre pritet të përcaktojë skuadrën që do të shkojë direkt në fazën finale të Botërorit.

Por ky nuk është problemi i vetëm i Lopeteguit. Skuadra spanjolle e ka humbur disi qetësinë pas barazimit të marrë vetëm në minutën e fundit në miqësoren me Kolumbinë, pa harruar këtu çështjen Pique, transmeton TCh.

Prej muajsh mbrojtësi spanjoll është kthyer në shënjestrën e fishkëllimave të tifozëve, sipas të cilëve, 30 vjeçari është përkrahësi më i flaktë i pavarësisë së Katalunjës. Problem më vete te Spanja është edhe Diego Costa, i cili ditët e fundit mësoi se nuk është më pjesë e planeve të Antonio Conte-s, gjë që ia ka ulur ndjeshëm moralin futbollistit.

Exit mobile version